Vende dhe Udhetime

Kepi i Rodonit, “arratisja e fundme” e Skënderbeut

Nga Edmond Prifti - Nëse nuk e keni parë ende, pas pak kohësh me siguri do fillojë të popullohet, e kësaj radhe si asnjëherë më parë. Është kjo magji e ndodhur përgjatë detit Adriatik, pothuajse një orë e 10 minuta me makinë, por në një rrugë tejet të dëmtuar përgjatë këtij viti, si shkak i makinerive të mëdha të ndërtimit, “për ëndrrën shqiptare”…të betonizimit!
Kepi i Rodonit, apo ky gadishull mjaft tërheqës, ndodhet pothuajse 20 minuta me makinë nga Gjiri i Lalëzit, një nga pikat më të frekuentuara, pranë qytetit të Durrësit. Ajo, e cila do t’i bënte përshtypje çdo vizitori është postblloku që ndodhet në hyrje të këtij parku ku i paguhet privatisht Kishës Françeskane, e më tej pas disa minutash, ndërsa ke hyrë në pjesën e Kepit, sheh shirita të shumtë, të cilët kanë rrethuar vendin… Për gjithë ata që mendojnë të bëjnë piknik në këtë vend, është e këshillueshme që të kenë furnizime me ujë të pijshëm, pasi përveç detit, diellit dhe disa peizazheve mahnitëse, i vetmi burim “i pijshëm” i ujit është me ujë të ngrohtë dhe era ndryshk, - një burim i thellësive i hapur përballë kishës, sipas të gjitha gjasave gjatë kohës së funksionimit së repartit ushtarak të baterive bregdetare të vendosura në Kepin e Rodonit, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë.

Kepi i Rodonit për vizitorët

Kepi i Rodonit apo siç njihet ndryshe si Muzhili i Skënderbeut është një nga stacionet më të bukura turistike e historike të Shqipërisë. Emri Rodon vjen Perëndia e detit ilire: Redon. Kisha e Shën Ndout e kalaja bregdetare e Skënderbeut e ndërtuar në rast tërheqjeje të Skënderbeut drejt Venedikut, janë dy nga vendet më të spikatura e të pëlqyera nga vizitorët vendës e të huaj, përpos faunës e gjelbërimit që të ofron ky kep, por sakaq, edhe bregut të ndotur (pranë Kalasë) nga mbetjet e ardhura nga lumi Ishëm. Në brendësi të kishës së ndodhur atje, - një ndërtim i hershëm që i përket shekullit të XIII-të dhe funksional përgjatë kohës së Skënderbeut, - gjendet edhe flamuri origjinal i pikturuar në muret e saj, përpos “shkarravinave” të tjera në mure, “të ideuar” që nga koha e “sundimit komunist” nga ish-ushtarët e repartit të baterisë bregdetare, të stacionuar shumë pranë këtij vendi. Kostantin Jirecek, në studimin e tij: “Zona dhe e kaluara e qytetit të Durrësit në Shqipëri” (“Die lage und vergangenheit der stadt Durazzo in Albanien”, në Illyrisch-Albanische Forschungen), përshkruan Kepin e Rodonit, si një varg kodrinash të larta 200-300 metra. Sipas tij, gjatë mesjetës, jo vetëm territori i Bishtit të Muzhlit, por tërë zona, nga lumi Ishëm dhe Erzen, quhej: Rodon. Ai na ka rrëfyer gjithashtu se kisha si dhe kuvendi (sot rrënoja), pranë saj, dokumentohen në territorin e Topiajve deri në shekullin e XVII-të. Ndërsa për fortesën, sot e quajtur kështjellë, Skënderbeu pasi filloi ndërtimin në 1450-1452, ku përgjatë vitit 1455, u këshillua prej raguzanëve që të mos shkonte më “tej për të ndërtuar një kështjellë më të madhe të fortifikuar”, ndërsa heroi ynë kombëtar sërish diskutonte në 1467-ën me Republikën veneciane, projektin e vjetër të lënë pas dore, “Instauratio loci Rhodonorum”.

Kisha e Shën Ndout

Monumenti i kultit paraqet vlera të veçanta, pasi është e rrallë e këtij lloji, e një arkitekture monumentale romaniko-gotike, e shekullit të XIII-të, si dhe lidhjes së saj me një nga periudhat më të shquara të historisë së Shqipërisë. Pas rindërtimit të saj, vite më parë, mund të shihen qartë, një kalorës mbi kalë e një shqiponjë dykrenore, me krahë të ulur poshtë. Në pjesë të tjera të mureve të kësaj kishe të lashtë, ka gjurmë të tjera afresku. Kisha e Shën Ndout është njëra nga pikat më të vizitueshme për turistët e vizitorët vendës, ku kjo kishë dhe zonat përreth konsiderohen si një vend i shenjtë e çdo datë 13 qershor të çdo viti, bëhet vend pelegrinazhi e feste ku vijnë, veç banorëve të zonave përreth, edhe turistë të shumtë. Ajo në mesjetë, njihej ndryshe edhe me emrin Bishti i Muzhlit, pronë e princave Topiaj, zotëve të pothuajse gjysmës së Arbërisë, qendra e së cilëve përkon sot me qytetin e Durrësit.

Historiani Marin Barleti shkruan në “Historia de vita et gestis Scandebegi”, që Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti (1403-1468), nga një betejë te tjetra, shkonte të pushonte e të gjuante, në Bisht’ të Muzhlit. Shumë syresh rrëfejnë se e motra, Mamica, kaloi vitet e saj të fundit në kështjellën afër kishës. Një dokument i Raguzës, i vitit 1324, përmendet kisha e “S. Nastasiam a li Rodoni” (“Acta e diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I, n. 694). Sërish, më vonë, kjo kishë përmendet në një dokument të Republikës së Raguzës i vitit 1335, ku flitet për “Sancte Nastasie deli Aradon” (Acta, I, n. 788). Kuvendi, pranë kishës, sipas Jirecek-ut, u njoh me emrin “Sancta Maria de Rodoni”, ndërsa për kishën ai citon në një dokument të vitit 1418 ku thotë se: “Është një kishë e hijshme dhe e zbukuruar” (Que erat pulcra eçlesia et bene adornata).

Prej dokumenteve mesjetare, kisha iu kushtua Shën Anastasisë, e më tej u kaloi murgeshave larise dhe pa një datë të saktë, Urdhrit të Shën Françeskut, së pari, me emrin e Kishës së Shën Marisë e më tej me emrin e Kishës së Shna Ndout. Sipas dorëshkrimit, “Storia dei frati minori, vol. I”, Skënderbeu duke ia dhuruar fretërve kishën e kuvendin, donte t’u shprehte atyre mirënjohjen e vullnetit të mirë të Shën Gjonit prej Kapestranit, i cili kishte bërë një punë të madhe duke mbledhur ndihma e forca për të luftuar hordhitë osmane. Kuvendet françeskane në Shqipëri deri në vitin 1402 i përkisnin Raguzës, e cila u kthye më vonë në “custodia Duracensis”, e pas pushtimit osman në “custodia Albaniae”(1585). Në vitin 1402, “custodia Duracensis”, kishte 4 kuvende në qytetet e Durrësit, Ulqinit, Shkodrës dhe Tivarit, ndërsa “custodia Albaniae”, kishte 5 kuvende e 40 fretër, e ndër ta, njihej edhe Kuvendi i Bishtit të Muzhlit… Kuvendi mbeti selí e “kustodies” (Mbikëqyrjes) deri në vitin 1737, kur u mbyll prej turqve, për t’u rihapur rishtas në vitin 1758. Kuvendi i Rodonit u restaurua në fillim të shekullit të XIX-të prej Imzot Rafael Barissi-it, ipeshkv i Lezhës, i cili gjithashtu u varros në hollin kryesor të kishës. Për herë të fundit kisha u restaurua pas tërmetit të vitit 1852. Konsulli, J. G. von Hahn, në “Albanesische Studien” (1854) përshkruan gjendjen e mjerueshme në të cilën gjendej kisha, pas tërmetit. Por edhe gjatë shekullit të kaluar, fatkeqësitë për këtë kishë, kushtuar Shenjtit të Padovës nuk ndaluan… Regjimi komunist thuhet se donte të hidhte në erë kishën për t’u bërë vend disa veprave të xhenios ushtarake, por sipas zërave, ndodhi një e papritur: xhenierëve u shpërtheu dinamiti para kohe dhe u plagosën disa syresh, ndonëse monumenti i kultit mesjetar u dëmtua seriozisht.

Pas vitit 1990, u desh’ vullnesa e fortë e fratit shqiptar, At Zef Pllumit, i cili me pasionin rrëmues të historianit erudit kërkoi e gjeti dokumentet në kadastrat përkatëse për të provuar përkatësinë e terrenit, e me ato pak mundësi, nisi punimet restauruese. Muret e kishës sot janë deri në 16 metra të larta, e punimet e nisura vite më parë nxorën në dritë një afresk, ku shihet figura e një vajze të re mbi kalë, e një shqiponjë dykrenore. Për t’iu rikthyer edhe njëherë historisë, konsulli austriak Th. von Ippen, që në vitin 1901 publikoi mbishkrimet në gjuhën greke, që ishin gjetur në kishën e Shna Ndout, e po ashtu edhe Jirecek, duke dëshmuar se në fund të shekullit të XIX-të, dukshin mjaft qartë detajet e kësaj kishe të stilit romanik e hijeshuar me afreske. Hipotezat, thonë se afresku i zbuluar i përket Shën Anastasisë, së cilës i dedikohej fillimisht kisha, por gjithashtu edhe hipoteza që thonë se aty mund të jetë vetë e motra e Gjergj Kastriotit, Mamica, e cila duket se përveçse se bamirëse e Kuvendit dhe e Kishës, ishte edhe “fqinjë” e tyre, në kështjellën, aty afër.

Kalaja dhe miti

Përmes një shtegu të ngushtë tashmë, në të majtë të rrugës që të çon për te Kisha (apo përmes bregut nga ana e kishës), ndodhet Kalaja e Rodonit, pikërisht, në kepin me të njëjtin emër. Princi Karl Topia dëshironte ta kthente këtë vend në një kantier detar, ndërsa Skënderbeu pati si synim daljen në det drejt aleatëve të tij në rast pushtimi, duke ngritur këtu një fortesë (më vonë u emërtua, kështjellë/kala). Kjo kala filloi të ngrihej pas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450, ndërsa përfundimi i saj mendohet sipas të gjitha studimeve të bëra, rreth vitit 1452. Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit. Për këtë qëllim më 22 janar 1462 në bisedimet e zhvilluara në Raguzë, midis Ambasadorit të Skënderbeut, Andrea Gazuli dhe Republikës Dalmate, Skënderbeu u kërkoi ndihmë detare. Kjo gjë u sigurua në traktatin e 4 shkurtit 1462, ku Raguza, në rast lufte do t’i vinte në shërbim Skënderbeut limanet dhe flotën e saj për qëllime të luftës kundër turqve.

Muri i kështjellës së Rodonit arrinte një gjatësi prej 400 metrash dhe në kulmet e saj kishte kulla të rrumbullakëta. Në vitin 1500, kalaja u pushtua nga venedikasit, ndërsa gjatë shekujve, si rezultat i veprimtarive erozive të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e detit Adriatik. Sot vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët. Interesante është se edhe sot shihen në rrënojat e tyre frëngjitë e topave të dikurshëm. Pranë kalasë ndodhen edhe rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit (për të cilën dihet shumë pak), të cilat konsiderohen nga banorët si vend i shenjtë, ashtu si ato që nuk dihen ende edhe sot, si manastiri i Shën Kollit dhe Shën Mërisë.

Perëndia e detit ilir Redon

Redoni, sipas mitologjisë ilire ishte hyji i detit, njëlloj si Poseidoni i grekëve apo Neptuni i romakëve. Për një kohë të gjatë, studiuesit janë përpjekur që të gjejnë elemente që të vërtetojnë se emrin e Redonit, e mban sot Kepi i Rodonit. Me këtë problem janë marrë në të kaluarën arkeologët Hasan Ceka dhe Moikom Zeqo.
Sipas këtij të fundit, Redoni ka qenë Perëndia kryesore zyrtare e shtetit ilir (M. Zeqo, Motive arkeologjike fq.146-150, Tiranë 1990). Ai ka qenë i vlerësuar nga ilirët dhe figura e tij ishte përjetësuar në tempuj, emra njerëzish dhe simbole monedhash, si ato të qytetit të Lisit, të fiseve ilire të Labeatëve, Daorsëve dhe monedhat e mbretit Ilir Gent (M. Zeqo. Panteoni Ilir).
Ndërkohë në traditën tonë popullore nuk ekziston ndonjë e dhënë që të tregojë drejtpërdrejt që Kepi i Rodonit e ka marrë këtë emër nga ndonjë legjendë për perëndinë e detit Redon. Ndoshta emri Redon është përpunuar në Rodon gjatë shekujve, duke na treguar se sipas mitologjisë Kepi lidhej me legjendën e perëndisë Redon, zotit ilir të deteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë