Histori

Kënetë, një histori tërmeti që nisi nga shtatori

Sabina Veizaj-Tahir Haxhami nga Kukësi i cili prej vitit 2006 ka ngritur një vilë katër katëshe në lagjen Kënetë të Durrësit (lagjia 17) është i shqetësuar për jetën e fqinjëve të tij që jetojnë në të dy krahët e vilës së tij.

Tërmeti i 21 shtatorit dëmtoi katin e fundit të banesës së tij duke shkëputur në të dy anët kollona betoni dhe i ka lënë në ajër mbi shtëpitë e fqinjëve në të dy anët e ndërtesës së tij.

Haxhami thotë për gazetën “Si” se ka njoftuar menjëherë institucionet kompetnte.

“E kanë verifikuar. Më thanë se do të vijë INUKU i Tiranës ta prishë se nuk ka INUK Durrësi. Para një muaji erdhi INUKU i Tiranës dhe ka parë situatën. Ata thanë që këto dy trekëndësha i prish Bashkia, nuk ka nevojë për INUK. Ke nevojë për financaë dhe bashkinë. Unë kam thënë eja hiqni dy katë, vetëm të mos dëmtohen fqinjët.”- shprehet Haxhami i cili më tregon dëmtimet e pësuara nga të dy tërmetet që dëmtuan rëndë qytetin e Durrësit.

Ai aktualisht jeton në banesën e një miku të tij sëbashku me djalin invalid. Të shoqen e ka jashtë shtetit për të punuar dhe fëmijën tjetër të martuar.

Tahir Haxhami me të birin

Haxhami duke më treguar dokumentin me vulën e bashkisë dhe emrin e kryetare Valbona Sako në të, më thotë se shtëpia e tij është vlerësuar e pabanueshme dhe është rivlerësuar për tu rikonstruktuar në shumën 24 mln.

“Por ra tërmeti i dytë dhe u pezullua gjithçka. Menjëherë kam njoftuar në bashki sërish. Por deri tani nuk është kujtuar asnjë”- thotë Haxhami.

Teksa ai është në pritje, nuk mund të presin fqinjët e tij që jetojnë çdo ditë me terror që shtëpia e fqinjit t'u bjerë mbi kokë.

Lindita Gega është fqinja e Haxhamit, e cila jeton në banesën një katëshe prej 13 vitesh kur është martuar. Aktualisht ajo jeton aty me vjehrrën dhe vajzën e vogël sepse i shoqi është emigrant.

Lindita Gega me të vjehrrën përpara shtëpisë së tyre një katëshe

“Kemi bërë ankimim për shtëpinë ngjitur tek prefektura. Ata na dërguan tek Njësia 8. Kemi vajtur. Janë bërë foto, do vijmë sot, do vijmë nesër. Na thanë nuk kemi fonde dhe eskavator. Ra tërmeti i dytë. Në 4 të ëmngjeist me vjehrrën invalide që nuk dëgjon dhe gocën e vogël vrapuam si të çmendura tek dera.”- më thotë Gega duke qarë e tmerruar.
Ajo nuk jeton më aty. “Vjehrrën e kam çuar tek kunata, vetë me vajzën kam shkuar tek prindërit. Këtu nuk jetohet.”-tregon Gega.

I ati i saj Vitor Përlleshi, i cili jeton në Spitallë në lagjen 15, ka ardhur për të zgjidhur çështjen e të bijës.

Kam ardhur më 21 shtator, më thotë Përlleshi. “:Kam bërë ankimim për vajzën tek prefektura, më ka çuar tek njësia 8. Kam shkuar aty, kam gjetur zëvendës kryetarin. Kanë ardhur ta verifikojnë dhe duhej të vinte një eskavator nga Tirana. Shtëpia është e pabanueshme thanë. Prandaj kam ardhur të ankimoj sërish, do bëj denoncim. Kemi dy muaj me këtë situatë.”- shprehet Përlleshi.

Dëmtimi i shtëpisë së Haxhamit ka shkaktuar dëme edhe tek fqinji në të majtë.
Sipas tij është dëmtuar kullimii ujërave, po ashtu edhe soleta.

Familja e fqinjit, e cila përbëhet nga 10 vetë ku janë tre kurorë, ka larguar prej ditësh fëmijët në Tiranë dhe vetë flenë nëpër makina.

Për të tre familjet situata paraqitet emergjente, por deri më tani ata nuk kanë asnjë informacion se si do të procedohet.... ( historia vijon)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë