Politike

Këmbëngulja e Turqisë – I kërkon Lleshajt të arrestojë gylenistët

Kërkesa për të luftuar grupin FETO që Turqia e cilëson si terrorist është permanente ndaj Shqipërisë. Kjo është bërë e ditur dhe në takimin e fundit që ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj pati me homologun e tij turk, Süleyman Soylu.
Takimi është zhvilluar disa ditë më parë, por ajo që bie në sy në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Brendshme shqiptare është hequr pjesa ku shteti turk vazhdon të insistojë në kërkesën e saj për luftën kundër grupit FETO.

“Gjatë takimit në Ministrinë e Brendshme, ministri Soylu vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve, bashkëpunim i cili sipas tij, mbështetet në faktorë historikë, si dhe praninë e madhe të faktorit shqiptar në Turqi. Më tej, z. Soylu e vuri theksin në krijimin e një klime më të ngushtë komunikimi mes dy vendeve në fusha të interesit të përbashkët si ajo e sigurisë, migracionit të paligjshëm dhe luftës kundër terrorizmit, për të cilat kërkoi thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

Takimi në Turqi i ministrit Lleshaj me homologun turk

Ndërsa në njoftimin e ministrisë apo në agjencitë turke përcaktohet se kërkohet bashkëpunimi konkret për të luftuar njerëzit e Abdullah Gylen, të cilin Erdogan e cilëson si personin përgjegjës që inicioi grushtin e shtetit në Turqi tre vite më parë.
“Shpresoj të përfitojmë nga përvoja e njëri-tjetrit dhe t'i vlerësojmë hapat që do t'i hedhim së bashku veçanërisht në fushën e sigurisë, rasteve kriminale, të sigurisë, por edhe kundër FETO-s dhe terrorizmit. Po ashtu, lidhur me rajonin tonë, kemi tema të cilat do t'i diskutojmë dhe vlerësojmë, duke filluar nga migrimi i parregullt e deri te lufta kundër lëndëve narkotike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme turke.
Lleshaj në këtë takim ka qenë i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj.
Ankaraja zyrtare i ka paraqitur kërkesë zyrtare Shqipërisë për ekstradimin e personave që dyshohen si pjesë e FETO-s grupi që cilësohet si terrorist, të cilët jetojnë dhe punojnë prej vitesh në vendin tonë. Gjithashtu një ndër kërkesat kryesore është edhe mbyllja e disa shkollave që njihen si pjesë e fondacionit Hizmet, themelues i të cilit është Abdullah Gylen. Një kërkesë e drejtpërdrejtë u bë edhe nga ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu gjatë vizitës në Tiranë në tetor të vitit të shkuar.

Bushati dhe Cavosoglu pas konferencës për shtyp në Tiranë

“Ua kemi dhënë listat me emrat e tyre edhe miqve tanë shqiptarë. Sigurisht kjo është organizatë e rrezikshme, e dimë se këtu kemi anëtarë të FETO. Janë dhe persona që ne kërkojmë ekstradimin e tyre e kemi bërë këtë kërkesë në mënyrë zyrtare, edhe në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, kemi paraqitur dokumente përkatëse, dhe presim të realizohen dhe kjo është e rëndësishme jo vetëm për ne, por edhe për Shqipërinë mike. Ne nuk strehojmë asnjë terrorist që vjen nga Shqipëria, këtë presim edhe nga Shqipëria. Ka një strukturë FETO tepër serioze në Shqipëri në çdo fushë. Edhe si në vendet e tjera, kanë përdorur sistemin arsimor dhe kanë depërtuar shumë mirë brenda në sistemin shtetëror. Kjo organizatë terroriste është një kërcënim i hapur dhe i madh kundër Turqisë. Presim që të mbyllen institucionet që zhvillojnë veprimtari anti turke në Shqipëri. Ata mund të bëjnë çdo gjë", do të deklaronte kryediplomati turk.

Por ish-kryediplomati Ditmir Bushati ndaj kësaj kërkese e refuzoi me diplomaci.
“Përgjigjja e shtetit shqiptar është ajo përgjigje që i kemi dhënë qoftë Turqisë qoftë në planin ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë ndër vendet që është solidarizuar me ato që kanë ndodhur në Turqi, por nga ana tjetër është anëtar i NATO-s dhe kandidate e BE dhe aderon në disa organizma me rregulla të përcaktuar për ekstradime ndaj çdo rrugë ndiqet në rrugë diplomatike dhe asesi në konferenca shtypi”, do të deklaronte Bushati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë