Politike

Këlliçi: Kreu i Policisë Bashkiake, biznes të përbashkët me drejtuesin e Policisë së Shtetit, Ferdinand Mara

Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi denoncoi nga selia blu se kreu i Policisë Bashkiake të Tiranës, Ermal Kapllanaj ka biznes të përbashkët me drejtuesin e lartë të Policisë së Shtetit, Ferdinand Mara.

“Si fillim Ermal Kapllanaj u kujdes të punësonte vëllain e Ferdinand Marës si pjesë e bandës së dhunuesve në Policinë Bashkiake.

Në vitin 2016 regjistruan si biznesmen babain e Ferdinandit, Bajram Marën, i cili u jepte me qira hapësirat atyre që donin të shisnin fruta perime në tregjet tashmë të miratuara nga Bashkia Tiranë brenda lagjeve.

Në vitin 2019 bashkëshortja e Ferdinandit dhe pse me profesion mësuese shkolle në Tiranë, vendos të bëhet biznesmene me të njëjtin objekt veprimtarie si vjehrri i saj: Tregëti fruta perime.

Biznes i cili sipas të dhënave publike të Qendrës Kombëtare të Biznesit ka qarkulluar jo pak, por mbi 600.000 euro në vit.

Sigurisht që Ermali nuk mund të mjaftohej me kaq.

Në vitin 2020 themelohet kompania FRESHMART me objekt: tregti në tregjet e fruta perimeve...”, tha Këlliçi.

Më tej ai shtoi: “Ortak në këtë biznes është “rastësisht” babai i Ferdinand Marës dhe vjehrri i Ermal Kapllanaj. Siç pamë në dosjen 5D që vjehrri bukëpjekës bëhet milioner, në këtë aferë skandaloze shohim sesi vjehrri i Ermal Kapllanaj, nga profesioni i nderuar i axhustatorit me pagë 300 euro në një subjekt privat, gjen kohën dhe kapacitetet të bëhet biznesmen. Kjo kompani sipas të dhënave të QKB ushtron biznesin në disa adresa dhe më e fundit është një magazinë e ngritur me lejen e ndërtimit që Erion Veliaj ka firmosur për Drejtorin e tij Ermal Kapllanaj në vitin 2019. Sigurisht ne këto të dhëna do i’a përcjellim zyrtarisht SPAK, të cilët mbetet të shohim nëse do të vazhdojnë të jenë mburojë për kreun e Organizatës Kriminale 5D Erion Veliajn, apo do të kryejnë detyrën e tyre në zbatim të ligjit, siç presin dhe qytetarët shqiptarë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë