Futboll

Keidi Bare kërkon La Ligën, mund të jetë shok skuadre me Ivan Balliun

Gazeta Si – Mesfushori i Kombëtares, Keidi Bare, kërkon të luajë në nivelin elitar të futbollit spanjoll. Pas rënies së Espanjolit nga kjo kategori, ai është në kërkim të një skuadre të re dhe gjasat janë që së shpejti të bëhet shok skuadre me mbrojtësin kuqezi, Ivan Balliu.

Rajo Valekano ka shfaqur interes për futbollistin fierak, që tashmë ka një eksperiencë të konsiderueshme në futbollin spanjoll, ku e ka nisur me Atletikon e Madridit dhe pastaj ka veshur edhe fanellën e Malagës.

Bare dhe Balliu ne Kombetare, kur ajo drejtohej nga Reja. Gazeta Si, 15 gusht 2023

Bare luajti në javën e parë të kampionatit të Ligës 2 me Espanjolin, por objektivi i tij është që të qëndrojë në La Liga. Për këtë arsye mesfushori i Kombëtares ka refuzuar më parë oferta të ndryshme edhe nga Italia dhe Gjermania.

Fieraku është një nga elementët më të rëndësishëm për Kombëtaren tonë dhe në ndeshjet e shtatorit me Çekinë dhe Poloninë mendohet titullar nga trajneri Silvinjo. Bare ka nevojë për një skuadër, ku mund të luajë rregullisht dhe duket se Rajo Valekano ia ofron këtë mundësi.

Në Spanjë ndërkohë Myrto Uzuni ishte titulalr me Granadën në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Atletiko Madrid, ku skuadra e tij u mund 3-1. Sulmuesi kuqezi rrezikoi vetëm në një rast, por u ndal nga portieri Oblak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë