Rend dhe Ligj

KED e re/ Meta hedh të enjten shortin, në garë edhe Xhaferllari

Të enjten, ndërsa Parlamenti do të tentojë të zgjedhë kryeprokurorin e ri, presidenti Ilir Meta do të zhvillojë për herë të parë hedhjen e shortit për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Në ditën e fundit të afatit ligjor, Presidenti ka nxjerrë urdhrin e posaçëm për organizmin e shortit, për përzgjedhjen e 9 anëtarëve të KED-së.

Në këtë Këshill dy anëtarë zgjidhen nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë nga Gjykata e Apelit, dy prokurorë nga Gjykata e Apelit, një gjyqtar nga gjykatat Administrative. Shorti sipas njoftimit të Presidencës do të realizohet në ora 12.00, në sallën “Skënderbej”, në selinë e Presidentit të Republikës, me adresë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1 Tiranë, të hedhë shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili do të funksionojë përgjatë vitit 2020.

Kandidatët nga Gjykata Kushtetuese. Në listën është edhe Besnik Muçi, por ai është përjashtuar nga sistemi i drejtësisë dhe nuk do të përfshihet në këtë short. Gazeta Si, 4 dhjetor 2019


Shorti duhet të realizohet në prani të Avokatit të Popullit dhe më pas do të krijohet një sekretariat i posaçëm. Për herë të parë Gjykata Kushtetuese mund të zgjedhë dy anëtarët e saj, pasi ky institucion ka në përbërje të saj edhe anëtarët e rinj. Në listë janë Vitore Tushaj, me kompetencat e kryetarit, Marsida Xhaferllari, Fjona Papajorgji dhe Elsa Toska. Ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dërguar listën me 27 emrave nga Prokuroria e Përgjithshme, ku në mes tyre janë edhe kandidatët për kryeprokuror Arta Marku dhe Fatjona Memçaj. Ndërsa nga Gjykata e Lartë është dërguar vetëm emri i Ardian Dvoranit, pasi anëtari tjetër Medi Beci është anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Për shkak të mungesës së anëtarëve të Gjykatës së Lartë, sipas ligjit, Dvorani automatikisht është edhe kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësisë. Ndërsa nënkryetari do të jetë anëtari i Gjykatës Kushtetuese. Presidenti do të caktohet personin që do të drejtojë shortin dhe procedura e përzgjedhjes është ajo e përzgjedhjes rastësore me dorë të goglave nga ana ena, që duhet të jetë vazo e tejdukshme. Goglat hidhen në tre enët e tejdukshme. Në njërën vendosen goglat bosh, në kutinë apo enën tjetër vendosen shiritat ku janë shënuar emrat e kandidatëve të propozuar nga secili institucion për kandidatët. Ndërsa në enën, kutia e tretë transparente rrotulluese vendosen goglat pasi në to janë futur shiritat me emrat e kandidatëve që do të shortohen. Emri i çdo kandidati të vendosur në shirit lexohen me zë të lartë dhe tregohen nga të pranishmit dhe nga kamerat.

Numri i goglave duhet të përputhet me numrin e kandidatëve dhe asnjë goglave nuk duhet të ketë shenjë dalluese. Goglat nuk duhet të jenë të tejdukshme që mund të lejojnë leximin apo identifikimin e përmbajtjes. Fillimisht radha e shortit ndiqet në këtë skemë, fillimit niset me kandidatët për Gjykatën Kushtetuese, më pas kandidatët të Gjykatës së Lartë, kandidatët e prokurorisë së Përgjithshme, kandidatët nga prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit dhe kandidatë nga Gjykatat Administrative.

Lista e renditur nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme. Gazeta Si, 4 dhjetor 2019


Rezultati përfundimtar i shortit të hedhur bëhet menjëherë publike në faqen zyrtare të Presidencës. Njoftimi mbi rezultatin e shortit i përcillet për dijeni Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë. KED është një institucion i ri i krijuar pas reformës në drejtësi dhe se shihet si organi që përzgjedh anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Ngritja e KED-së u zvarrit dy herë radhazi dhe vetëm në vitin 2019 u bë e mundur ngritja e këtij institucioni nga Parlamenti. Sipas ligjit, nëse Presidenti nuk e zgjedh KED-së brenda 5 dhjetorit atëherë e drejta e zgjedhjes së anëtarëve i kalon Parlamentit. Presidenti Meta kësaj here ka bërë të qartë se do ta hedhë shortin, e kjo pas përplasjeve të forta që pati me KED-në për mënyrën se si u procedua për zgjedhjen e një anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti nuk pranoi të zgjedhë për anëtarin e dytë, pasi më parë duhej të zgjidhte Parlamenti. Por mazhoranca ndërkohë që bëri të ditur se presidenti më këtë qëndrim, duke mos zgjedhur anëtarin brenda 30 ditëve, bëri që Arta Vorpsi të renditej automatikisht e para. Por kjo gjë e nuk u pranua nga presidenti, i cili pas votimit të Parlamentit, të dy anëtarëve Elsa Toska dhe Fjona Papajorgji vendosi që të dekretonte Marsida Xhaferllarin, e cila bëri edhe betimin para kreut të shtetit. Ndërsa Vorpsi nuk bëri një betim të tillë.

Për shkak të një konflikti të tillë presidenti Meta bëri një padi penale ndaj kryetarit aktual të KED-së, Ardian Dvorani, i cili e akuzoi për marrjen të kompetencave të tij, duke tentuar të mohonte të drejtën e zgjedhjeve.

Në listën për anëtare KED është edhe Xhaferllari. Në rast se ajo do të zgjidhej anëtare e KED-së atërherë kjo do të shkaktonte një përplasje të madhe, pasi mazhoranca nuk e njeh atë si kandidaturë dhe se për këtë dekret ka kërkuar ta shtojë si pjesë të hetimit të komisionit parlamentar për shkarkimin e presidentit Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë