Politike

KED 2022, Meta njofton shortin më 3 dhjetor

Presidenti Ilir Meta ka caktuar datën 3 dhjetor për mbajtjen e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2022.

Shorti do të hidhet në orën 11:00 në sallën “Skënderbej”. Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë dërguar pranë Institucionit të Presidentit listat me emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët plotësojnë kushtet e parashikuara në ligj, për t`u përfshirë në shortin që do të hidhet për zgjedhjen e KED.

Gjykatës Kushtetuese i takojnë dy vende në këtë këshill. Aktualisht, nga kjo gjykatë në KED janë Marsida Xhaferllari dhe Elsa Toska si anëtare dhe Fiona Papajorgji si anëtare zëvendësuese.

Gjykatës së Lartë i takon një vend në KED, që sipas përcaktimeve ligjore zgjidhjet edhe kryetar i këtij këshilli. Aktualisht, anëtar i Gjykatës së Lartë në KED është Ervin Pupe, ndërsa Ilir Panda është zgjedhur si anëtar zëvendësues.

Një vend ka edhe Prokuroria e Përgjithshme, që aktualisht mbahet nga prokurori Adnan Xholi dhe anëtar zëvendësues Kujtim Luli.

Gjykatat e Apelit kanë dy vende në KED. Aktualisht anëtarë janë Astrit Kalaja dhe Elona Toro. Zëvendësuese është zgjedhur gjyqtarja Zegjine Sollaku.

Dy vende i takojnë edhe Prokurorisë së Apelit. Anëtarë janë Gjon Fusha dhe Genti Xholi. Zëvendësues Kleant Zeka.

Gjykatat Administrative kanë një vend anëtar, që mbahet aktualisht nga gjyqtarja Rilinda Selimi dhe zëvendësuese Gentiana Xhelili. Emrat që do të përzgjidhen nga shorti do ta marrin zyrtarisht detyrën më 1 janar 2022 dhe përfundojnë atë më 31 dhjetor 2021.

Sipas parashikimeve ligjore, Presidenti Meta duhet të hedhë shortin brenda datës 5 dhjetor, nëse nuk e bën këtë, brenda dhjetë ditëve nga ky afat shorti organizohet nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë