Rend dhe Ligj

Dy Xhisielat

Mbrëmjen e së hënës, Xhisiela zuri dy ekranet më të mëdha në vend për të thënë “të vërtetën” e saj. Foli gjatë se si e gjithë zhurma mediatike e politike e krijuar ishte një “gabim” i nisur nga xhelozia prej saj dhe mbrojti ish të dashurin duke iu kundërvënë dëshmisë së dhënë vetë në muajin korrik.

Gjatë gjithë intervistave, dhënë në emisionin ‘Open’ në Top Channel dhe ‘Opinion’ në televizionin Klan, 25-vjeçarja u përplas disa herë me dëshminë e dhënë nga vetë ajo para policisë së Fushë-Krujës.

Ish-oficerin e policisë gjyqësore, Emiljano Nuhun pranon se e ka takuar dy herë, por e akuzon se bënte pyetje jashtë hetimit.

“Emiljano Nuhun e kam takuar në prokurori dhe më pas në Komisariatin e Krujës dhe bënte pyetje jashtë hetimit. Si shembull kush ishte ai? Pse janë të lidhur me krimin? Jemi takuar në një zyrë, ose dhomë para komisariatit. Më mori në pyetje jashtë temës. Më tha që të mos kisha frikë. Unë i thashë që nuk kam frikë, ndërsa ai më tha se do t’i shkatërrojë ata. Nuk kam frikë. Pse duhet të kem frikë? Duhet të them atë që është, jo atë që do ti,- i thashë”, deklaroi ajo në intervistën e dhënë për Eni Vasilin.

Vajza mohoi se është përdhunuar dhe thotë se dëshmia e saj që qarkullon në media nuk është e vërtetë. Por, dokumenti është i vërtetë, ndërsa për përmbajtjen e tij Xhisiela thotë se ka gënjyer, pra ka bërë dëshmi të rreme.

Çfarë thotë në dëshminë e dhënë më 30 korrik e të firmosur nga ish-oficeri i policisë gjyqësore, Emiljano Nuhu për dhunën në Hotel Boçi?

“Unë nuk e mbaj mend kur më ka goditur për të herë të parë shtetasi i lartpërmendur, por mbaj mend herën e fundit që ndodhi në datën 19.07.2018. Dua të shpjegoj që në këtë datë më kishte parë në rrugë dhe më mori në telefon, dhe më tha hajde me tako se dua të sqarohemi. Unë shkova e takova tek puna e tij në rrugën Fushë Krujë-Vorë përball Hotel Boçi. Filloi të ulëriste me fjalë dhe më ka kapur prej flokësh. Më solli një shoqe SMS që a do dalim sot. Në atë moment ky më mori telefonin dhe ma theu, duke më thënë me kë do dalësh sot? Dua të them që këto veprime i bëri kur unë isha në makinë me të përballë punës së tij. Më pas u nis me makinë drejt Hotel Boçi. Unë nuk pranova të shkoj lartë në hotel me të, por me mori duke më bërë presion me anën e pistoletës”, deklaron ajo.

Brenda në hotel, sipas dëshmisë së parë të vajzës, ndaj saj është ushtruar dhunë derisa ka humbur ndjenjat.

“Gjatë kohës që ndejtëm në hotel më gjuajti e shpulla, me grushta dhe më drejtoi pistoletën. Më dogji me cigare në kofshë dhe më goditi në pjesën e kokës me pistoletë. Mua më ra të fikët dhe u përmenda më vonë nuk më kujtohet a bëmë marrëdhënie seksuale, kur u përmenda po më merrte me të mira dhe më pas unë dola më para nga hoteli. Ai shkoi të paguaj lekët tek recepsioni dhe me erdhi poshtë tek makina, ku unë po e prisja duke më përfaqura dhe duke më bere lajka që unë mos të vija në polici për kallëzim. Shqetësimet e mija në lidhje me Rexhepin unë ja kam shprehur shoqeve të mija shtetasve, E.S, S.Z dhe motrës time A. Maloku.

Në intervistën e dhënë për dy emisionet televizive, Open dhe Opinion, vajza e ndryshon dëshminë e parë. Kërcënimi me pistoletë dhe dhuna “zhduken” dhe tani flet për një “zënkë normale dashurie”. Por çfarë tha?

“Është e vërtetë që më ka marrë telefonin dhe ma ka thyer. Kjo ka ndodhur brenda një hoteli. Në hotel më ftoi Rexhepi. Aty pati zënka normale, vetëm një shuplakë pati në hotel. Në datën 20 kam shkuar në komisariat, por nuk e kam bërë denoncimin. Nuk e bëra sepse u qetësuam. Dola nga komisariati e takova dhe më kërkoi falje. Ai ishte aty sepse i thashë unë më parë që do e denoncoja. U sqaruam dhe m’u mbush mendja që ta fal. Pasi u pajtuam, në datën 21 shkova sërish në komisariat pasi nuk e mbajti fjalën e dhënë. Ai iku me një tjetër me pushime. Atë natë, në datë 20 u nis. E mora vesh nëpërmjet shoqeve. Në fillim nuk i besova, por doli që ishte e vërtetë. Nga inati shkova dhe e denoncova për dhunë”, deklaron Xhisiela.

Pas kallëzimit ajo i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, e cila është pasqyruar edhe në kërkesën e prokurorisë në gjykatë për masën e arrestit me burg për Rexhep Rrajën. Sipas ekspertizës, vajza ka dëmtime të shkaktuara nga mjete të forta në shpatull dhe këmbë dhe shenja djegieje në kofshën e djathtë.

Tani vajza mohon se shenjat në shpatull janë shkaktuar si pasojë e dhunës së Rexhepit, por janë shenja të një aksidenti me makinën e një mikeshe, që thotë se ka ndodhur kur ka qenë duke udhëtuar për në Patos, ndërsa djegiet me cigare i quan lojë që e bënte me Rexhepin sa herë zihej me të.

“Unë nuk e kam lexuar atë ekspertizë, por shenjat në shpatull janë të një aksidenti që kam bërë në Patos. Makina është dërguar në varreza. Unë kam shenjë cigare edhe në vende të tjera, sepse sa herë që ziheshim, digjnim veten. Edhe Rexhepin po ta shikoni, ka dhe ai shenja cigaresh. Nga nervat i bëjmë vetë”, tha ajo.

Xhisiela mohon se është nën presion dhe thotë se e ka refuzuar mbrojtjen që i është ofruar, pasi nuk ndjehet e kërcënuar nga askush, ndryshe nga dëshmia e dhënë në korrik, kur pyetet se përse është tërhequr nga dhënia e dëshmisë në Komisariatin nr.6 në Tiranë.

“Unë e tërhoqa, sepse shtetasi Rexhep Rraja më kërcënoi se do më vriste. Ata janë fis kriminelësh dhe rrijnë gjithmonë me pistoletë. Unë nuk e kam babain. Më është vrarë në vitin 1997. Jetoj me mamin dhe motrën. Nga fillimi i vitit 2018, unë kam shkuar në komisariatin e Krujës, kam bërë një deklaratë tek inspektori i zonës shtetasi, Sabri Dani. Këtë deklaratë e ka firmosur dhe motra ime A. M. Tek deklarata kemi shkruar që nuk kemi probleme dhe i kemi sqaruar konfliktet. Aty me doli një person tullac dhe mu prezantua si shefi i madh dhe më tha që ‘ai që të të do të rref’, atë ditë dhe më kishte rrahur shumë Rexhepi. Mbaj mend që isha bërë me gjak. Dua të shpjegoj që kallëzimi i radhës është ai i datës 21.07.2018, në komisariatin Nr.3 në Tiranë. Këtë radhë nuk kam firmosur deklarata që i kam zgjidhur problemet, por kam kallëzuar për përndjekje shtetasin Rexhep Rraja”, thotë ajo dy muaj më parë.

Vajza rrëzoi të gjitha akuzat e Emiljano Nuhut se në stacionin policor të Fushë-Krujës më 21 korrik ka shkuar deputeti Rrahman Rraja, babai i Rexhep Rrajës, i shoqëruar nga deputeti Taulant Balla dhe kreu i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi.

“Emiljano doli e tha që ka qenë edhe Rrahmani në komisariat, por ai nuk ka qenë, sikurse tha se kanë qenë edhe persona të tjerë, që në fakt nuk kanë qenë. Edhe dëshmitë nëpër komisariate m’i kanë marrë të gjithë, gjithmonë. Kanë qenë korrektë me mua. Në komiariatin nr. 6 nuk më kanë thënë kurrë që ‘kush të rreh të do’ dhe s’ka pasur asnjë qeros në atë komisariat. Në atë komisariat është thënë që kanë ardhur e më kanë marrë me pistoletë Rrahmani dhe i biri, por Rrahmani s’ka pasur dijeni fare se ku ishim ne. Unë jam informuar nga mediet që Rexhepi është arrestuar dhe unë, motra dhe të gjitha familjarët e mi jemi në gjendje shumë të rëndë”, thotë Xhisiela e shtatorit.

I vetmi qëndrim thuajse i pandryshuar i saj mbetet ndaj oficerit të policisë gjyqësore, Gentian Çitozi, për të cilin u ankua tek zyra e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Durrës se mbështeste palën e paditur, pra Rexhep Rrajën.

Thotë se kallëzimin e ka tërhequr para këtij oficeri me vullnet të lirë, por se “nuk i kishte pëlqyer sjellja dhe mendimet e shprehura prej këtij oficeri”.

“Nuk më pëlqeu sjellja e tij. Nuk m’u duk i përshtatshëm. Shprehte mendimet e tij, por unë nuk u ndikova. Më thonte që mirë po bëja që po e tërhiqja dëshminë. Nuk më pëlqeu mënyra se si fliste, por nuk më kujtohet mirë çfarë thonte pas gjithë këtyre gjërave që ndodhën. Unë mendoj se një oficer policie nuk ka pse të favorizojë asnjë palë. Nuk më kujtohet se çfarë thonte, por thjesht favorizonte”, deklaron sot ajo.

Dy qëndrimet e Xhisielës, një e firmosur në letra dhe tjetri i shprehur para kamerave kanë pështjelluar akoma më shumë opinionin publik dhe dilema e madhe që ngrihet tani është se kë duhet të besojmë, Xhisielën e korrikut, apo Xhisielën e shtatorit?


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë