Politike

KiE: Shqipëria të parandalojë korrupsionin në ministri. Vettingu në polici i gabuar

Këshilli i Europës i ka kërkuar sot Shqipërisë që duhet të zbatojë ligjin për të parandaluar ministrat dhe këshilltarët e tyre të përfshihen në afera korruptive.

Në një raport të publikuar sot, Grupi i Shteteve të Këshillit të Europës kundër Korrupsionit (GRECO) konstaton se në Shqipëri, kuadri ligjor për parandalimin e korrupsionit të anëtarëve të Këshillit të Ministrave si dhe policisë është gjithëpërfshirës, por nuk zbatohet. Ai i bën thirrje Shqipërisë të përqendrohet në zbatimin e tij efektiv, veçanërisht duke përmirësuar kapacitetin e organeve përgjegjëse për parandalimin e korrupsionit dhe përmes një qasjeje proaktive ndaj hetimeve.

GRECO rekomandon në veçanti që një manual që përpilon standardet dhe rregulloret e zbatueshme t’u vihet në dispozicion personave që mbajnë poste të larta ekzekutive.

Po ashtu, theksohet që çdo ministri duhet të miratojë shpejt një plan integriteti dhe që ministrat, zëvendësministrat dhe këshilltarët duhet të informohen rregullisht për pasojat nëse përfshihen në afera korruptive.

“Grupi i Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit shpreh dyshime në lidhje me zbatimin efektiv të Kodit Ministror të Etikës 2013 dhe funksionimin aktual të komitetit të etikës bashkangjitur me të. Shpresohet që të hartohen dhe zbatohen rregulla të qarta pas punësimit. Kuadri i përgjithshëm që detyron të interesuarit të deklarojnë pasuritë e tyre është krijuar. Sidoqoftë, GRECO vëren se nuk ka asnjë shembull që një ministër apo një këshilltar i tij / saj të ketë qenë i detyruar të tërhiqet nga një dosje për shkak të konfliktit të interesit,” thuhet më tej në raport.

Në raportin e KE për korrupsionin bëhet thirrje që Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Verifikimin e Pasurive dhe Konflikteve të Interesit (HIDAACI) të pajiset me burime të përshtatshme për të përmirësuar misionet e saj dhe që platforma elektronike, që synon regjistrimin dhe publikimin e deklaratave të interesave private, të bëhet funksionale sa me shpejt te jete e mundur.

“Ndjekja e dhënë për çështjet e transmetuara nga ILDKPKI në shërbimin e prokurorisë duhet të përmirësohet, gjë që presupozon funksionimin efektiv të Zyrës së re të Prokurorit Special Antikorrupsion (SPAK).”

GRECO paralajmëron po ashtu se Vettingu në Polici do të çojë në largimin e shumë personelit të kualifikuar dhe më pas të dobësojë institucionin. KE bën thirrje për zëvendësimin e tij me kontrolle të rregullta të integritetit gjatë karrierës së personelit të policisë, i cili vlerësohet të jetë më i drejtë dhe më efektiv.

GRECO shqetësohet edhe për mundësinë që policia të marrë donacione private: nëse do të lejohej një praktikë e tillë, ajo duhet të rregullohet në mënyrë rigoroze për të kufizuar rreziqet e korrupsionit dhe konfliktit të interesit. Mundësia që policia të ofrojë shërbime shtesë me pagesë duhet gjithashtu të rregullohet në mënyrë rigoroze.

“Rekomandohen masa për të siguruar më shumë stabilitet në pozitat e larta në polici, pavarësisht nga konteksti politik. GRECO gjithashtu rekomandon që oficerët e menaxhimit të mesëm të emërohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë sesa nga Ministri i Brendshëm, dhe që rregullat etike të plotësohen me udhëzime praktike, si dhe masa të ndërgjegjësimit, trajnimit dhe këshillimit (përfshirë mbrojtjen e sinjalizues)”, thekson raporti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë