Ne rrjet

KE: Shqipëria përmbush kërkesat për lëvizjen e lirë, por shqetësim mbeten azilantët

Sipas raportit më të fundit të Komisionit Evropian, Shqipëria dhe vendet e tjera që përfitojnë nga liberalizimit i vizave me vendet e BE-së, vijojnë përmbushjen e kërkesave të këtij procesi. Komisioni raporton rregullisht dhe të paktën njëherë në vit pranë vendeve anëtare, bazuar në kriteret e procesit që mundëson lëvizjen e lirë brenda zonës Schengen, e cila për momentin vijon të mbetet e mbyllyr për udhëtimet e panevojshme për shkak të pandemisë.

“Sot Komisioni po raporton për vlerësimin e përmbushjes së kërkesave të liberalizimit të vizave me Shqipërinë, Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, si dhe për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrahinën. Raporti doli në përfundimin se vendet në fjalë vijojnë të përmbushin kërkesat e liberalizimit të vizave”, thuhet në një njoftim të Komisionit.

Të gjitha këto vende vlerësohet se kanë vijuar të marrin masa për adresimin e emigracionit të paligjshëm dhe sfidave në mbrojtjen e kufijve. Bashkëpunimi mes autoriteteve kufitare dhe ai për riatdhesimin mbetet pozitiv – sipas raportit – dhe pjesa dërrmuese e qytetarëve të këtyre vendeve i kanë respektuar rregullat. Por më shumë përpjekje nevojiten për shqetësimet që mbeten.

“Ndërsa u vërejt një ulje e përgjithshme e numrit të kërkesave të pabaza për azil, numri total mbetet burim shqetësimi, sidomos në rastin e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë”, veçohet ndër të tjera në raport.

Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është një tjetër kriter që vlerësohet në raport dhe ku kërkohen përpjekje të vazhdueshme. Komisioni do të vijojë të mbajë nën vëzhgim vendet dhe përmbushjen e kërkesave për lëvzijen e lirë, edhe nëpërmjet raporteve vjetore të progresit për vendet që përbëjnë shqetësim.

Ndërkohë, vlen të përsëritet se megjithëse Shqipëria vijon të përfitojë nga lëvizja e lirë, për momentin kjo vlen vetëm për disa kategori të veçanta dhe jo për turizëm dhe vizita, për shkak të mbylljes së kufijve nga pandemia Covid-19.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë