Politike

“Ke ndërhyrë me lekë në fushatë”, Shehaj reagon për akuzat: Të pavërteta, axhenda jonë s’mund të jetë karrigia e Bashës

Që kandidimi i Agron Shehajt për postin e kryetarit të partisë solli një ftohje të dukshme mes tij dhe Lulzim Bashës kjo nuk ishte e vështirë për tu kuptuar.

Por ajo që nuk pritej, të paktën deri tani. është se Lulzim Basha nuk po e kursen atë në asnjë pjesë të debatit brenda forumeve, edhe pse jo me gojën e tij, por nga të emëruarit e tij. I tillë ishte edhe debati i dy ditëve më parë, e publikuar e plotë në një të përditshme ku ashiqare shihej një kundërsulm i nënkryetares Grida Duma, apo Isa Sakes dhe Gazment Bardhit ndaj Shehajt i cili po debatonte për Bashën lidhur me mbështetjen që ky i fundit gëzon në parti. Sipas Shehajt, 75% e anëtarësisë nuk e duan më Bashën. Në anën tjetër,  si Duma, Sakja por edhe Bardhi e akuzonin Shehajn  se ai kishte blerë votat gjatë fushatës brenda partisë në favor të tij dhe se për këtë dispononin edhe video.  

Një ditë më pas, Shehaj ka reaguar përmes një deklarate në Facebook duke akuzuar që në fillim se zbardhja e grupit ishte bërë nga PD më qëllim denigrimin e figurës së tij.   

“Iu drejtova z.Basha duke thënë se pakënaqësia tek mbështetësit e Partisë Demokratike nuk është e vogël, siç e parashtroi ai, por fatkeqësisht ka një përçarje të madhe dhe kurrsesi s’mund të jem dakord me strategjinë ‘t’i marrim me të mirë dhe të presim t’u dalë inati’.

Argumentova se pjesa më e madhe e votuesve të Partisë Demokratike janë kundër drejtuesve të Partisë Demokratike. Në këto kushte, agjenda jonë s’mund të jetë shpëtimi i karriges së kryetarit por e mira e Partisë Demokratike.

Në lidhje me akuzat e pavërteta dhe absurde, për qëllim servilizmi dhe fshehjen e problemit, nuk meritojnë asnjë koment”, shkruan Shehaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë