Politike

KE mbështet reformën zgjedhore: SPAK të hetojë akuzat për 25 prillin

Komisioni Europian mbështet ndërmarrjen e një reforme zgjedhore, përmes të cilës Partia Socialiste dhe Partia Demokratike të adresojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR.

“Kuvendi i ri është një mundësi e mirë si për Qeverinë, ashtu edhe për opozitën që të punojnë së bashku për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe çështje të tjera që lidhen me proceset zgjedhore”, thotë KE.

Komisioni thekson se për këtë qëllim, raporti i fundit i OSBE për zgjedhjet e 25 prillit duhet të shërbejë si një udhërrëfim për palët.

Në lidhje me procesin zgjedhor të 25 prillit, Komisioni përsërit se procesi ishte përgjithësisht i mirëorganizuar, duke cituar po raportin e ODIHR.

Deklarata e Komisionit është bërë si përgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura mbi shitblerjen e votave dhe përfshirjen e krimit të organizuar në zgjedhje nga eurodeputetja e djathtë franceze, Dominique Bilde.

Bilde kërkon të dijë se çfarë qëndrimi do të mbaë Komisioni për hetimin e akuzave për përfshirjen e krimit në procesin zgjedhor të 25 prillit.

“Komisioni ka theksuar rëndësinë e një legjislacioni që të garantojë integritetin e zyrtarëve të zgjedhur dhe atyre që mbajnë pozicione publike. Në një kohë që nuk kemi asnjë mandat për të udhëhequr hetime individuale, ne u kërkojmë organeve kompetente ligjzbatuese, përfshirë këtu SPAK që të hetojë me shpejtësi dhe efikasitet këto akuza”, thuhet në deklaratën e KE.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë