Politike

Kazinotë dhe bastet lindën e vdiqën më 9 nëntor

Mbyllja e kazinove dhe basteve sportive e votuar në Parlament dhe firmosur me një dekret nga ana e presidentit Ilir Meta duket se do të mbahet mend me një simbolikë dhe ajo është pikërisht data e miratimit të ligjit për hapjen e këtij aktiviteti, si dhe mbyllja e tij.
Lojërat e fatit u përhapën gjerësisht në vendin tonë pas përmbysjes të regjimit komunist, me ligjin e datës 9 Nëntor 1994, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, duke fituar bazën e tyre juridike. Pas këtij votimi në ligj do të ishte presidenti i asaj kohe, Sali Berisha që do të firmoste dekretin për këtë nismë. Ligji “Për lojërat e fatit dhe kazinotë” është shpallur me dekretin nr.860, datë 28.11.1994 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.
Në këtë ligji përcaktohet lejimi i basteve sporteve, apo dhe lotaria e numrave të fatit, lotari e çastit (gërvisht e fito) si dhe makineritë elektronike.

Faksimile e ligjit të parë për lejimin e lotove sportive dhe makinave automatike, i votuar me 9.11.1994, i dekretuar nga Presidenti Berisha më 28.11.1994

“Lojërat e fatit automatike është loja që realizohet me një makinë me anën e së cilës fitimi ose humbja dhe dorëzimi i shumës fituese bëhet automatikisht nga vetë makina. 1. Të gjithë lojërat e fatit të parashikuara në nenet 3, 4,5 dhe 6 të këtij ligji, zhvillohen në bazë të lejes së dhënë organizatorit nga Ministria e Financave. Të drejtën e marrjes së lejes për zhvillimin e lojërave të fatit e kanë organizatorët që plotësojnë këto kushte: a) të ketë si veprimtari të vetme zhvillimin e lojërave të fatit; b) organizatori të jetë person fizik ose juridik rezident në Republikën e Shqipërisë me një kapital themeltar mbi 500 000 lekë; c) të ketë personel me kualifikim të përshtatshëm dhe përvojën e nevojshme për të zhvilluar lojërat e fatit; ç) të garantojë në çdo moment pagesat e fituesve të lojërave të fatit, duke vendosur për këtë qëllim një fond garancie në një nga bankat me seli në Republikën e Shqipërisë, në masën e shumës që u takon fituesve, sipas përcaktimit që bën Ministria e Financave. 2. Leja i jepet organizatorit për një afat deri në 10 vjet, por me kusht që ajo të përsëritet çdo vit”, do të përcaktohej në nenin e 7 dhe 8 të ligjit të parë për lejimin e pikave të basteve apo të makinave elektronike.
Që nga miratimi i parë me firmën e Berishës dhe deri më tani Kuvendi ka miratuar mbi 15 ndryshime ligjore në këto 14 vite.

Këto ndryshime kanë bërë të mundur edhe dhënien e licencës së kazinove, duke shtuar edhe llojet e ndryshme lojërave si baste të garave me qen, apo dhe baste online.
Pas hapjes masive të këtyre lojërave të ndryshme të fatit, të kazinove apo dhe të pikave të bastit, qeveria aktuale mori vendim për mbylljen e këtyre aktiviteteve. Konkretisht do të mbyllen brenda 31 dhjetorit të gjitha pikat e basteve dhe do të zhvendosen kazinotë nga qendrat e banuara në zonat turistike, te resortet me 5 yje.
Si për ironi të “Lojërave të fatit” pikërisht mbyllja e aktivitetet të pikave të basteve sportive do të bëhej pikërisht më 9 nëntor të 2018-s.

Dekreti i presidentit Meta i datës 9 Nëntor për firmosjen e ligjit për mbylljen e pikave të basteve sportive

Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë