Politike

Kazani i politikës po vlon

Afrimi i datës së protestës së 16 shkurtit ka rritur tensionin politik, pasi mazhoranca dhe opozita po përplasen për çështjet më të ndryshme në Parlament. Opozita ka ndryshuar strategjinë e saj, duke mos bojkotuar Parlamentin, por duke nisur përballjet me ministrat nëpër komisionet parlamentare. Të tilla janë thirrjet e ministres së Arsimit, Besa Shahini dhe të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj për protestën e studentëve apo dhe ndërhyrjen e policisë në ambientet e universiteteve duke e cilësuar si një shkelje të autonomisë universitare.
Llogaridhënia e ministrave në komisione apo dhe në interpelanca është “aksioni” i opozitës, ku liderët e saj njëherësh po synojnë organizojnë protestën e 16 shkurtit.
Në seancën e fundit parlamentare të së enjtes do të mungonte kryeministri Edi Rama, i cili ndodhej jashtë vendit për një vizitë në Arabinë Saudite. Ngjarja e rëndë e Kavajës, e përdhunimit të 16-vjeçares do të mbizotëronte në debatin politik mes mazhorancës dhe opozitës, por edhe protesta e opozitës.
Kryedemokrati Lulzim Basha i paraqiti ultimatumin mazhorancës për të reflektuar deri më 15 shkurt, pasi në të kundërt do të jetë tepër vonë. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe krijimi i një qeverie tranzitore është një nga kushtet e opozitës, që Basha i shpalli publikisht gjatë fjalës së tij në seancën e 7 shkurtit.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku serish ka patur perplasje te forta ndermjet mazhorances dhe opozites/ Foto LSA


“Socialistët kanë afat deri më 15 shkurt për të zgjidhur krizën politike, përndryshe populli mund të marrë në dorë fatet e veta”, tha kryedemokrati në mënyrë ultimative.
Këtij qëndrimi, në mungesë të Ramës, iu kundërpërgjigj ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili i kujtoi kryedemokratit 21 janarin, ngjarjen kur u vranë 4 protestuesit e opozitës. “Kam parë që gishtin tregues e drejtoni shpesh si njëlloj pistoletë butaforike, por duhet t’ju them që mundohuni mos ta drejtoni kurrë kundër meje. Keni 4 të vrarë në CV-në tuaj, keni rreth 100 të plagosur dhe keni rreth 4 mijë të tjerë të mbetur në tentativë për t’u vrarë. 4 mijë plumba të hedhur nga struktura që ju keni drejtuar, ndaj qytetarëve të Tiranës, të cilët vetëm fal mëshirës se Zotit nuk kanë rënë në koka shqiptarësh. Prandaj kur ta drejtoni gishtin mendohuni mirë”, do të deklaronte Lleshaj.
Por kryedemokrati do t’i përgjigjej se sa i përket protestës së 21 Janarit, ishte kryesocialisti që do t’i dërgonte njerëzit për t’u vrarë në bulevard, madje duke theksuar se Rama i promovoi organizatorët e protestës. “Pse i promovuat ata që u akuzuan se shtinë mbi ata që sollët? Je dy herë fatkeq, se kur unë plotësova mbi 100 kritere kundër krimit të organizuar dhe arrita që të plotësooj ëndrrën e lëvizjes së lirë, ju e kishit mendjen si të krijonit alibitë për Edi Ramën për vizat. Jeni delja e zezë e Europës, Kolumbia e Europës" tha Basha.


Ndërsa zv.kryeministri Erion Braçe do t’i akuzonte opozitarët, duke iu drejtuar me faktin se duhet të jenë pjesë e hetimeve të SPAK-ut në të ardhmen. “Kemi hyrë në politikë nga dhuna barabare nga viti ‘92-‘97. Vratë në 21-janar, mos merrni kurajo të dilni këtu. Me këmbët tuaj duhet të shkoni para drejtësisë, latë në mëshirë të fatit familjet e viktimave të 21 janarit. Ai që vjen këtu e na tregon ne hajdutëritë te Unaza është i vetmi person në gjithë këtë sallë, që ka akuzë publike për vjedhje, dhe jo me 2 lekësha, por me 235 mln në kurriz dhe refuzon t’i përgjigjet gjykatës, dhe ka kurajon ta përmendë por BKH të nisë për këtë krim”, deklaroi Braçe.

Ngjarja e Kavajës
Përplasja më e fortë do të ishte për ngjarjen e rëndë të Kavajës. Ish-kryeministri Sali Berisha do të akuzonte për fshehjen e krimit të rëndë ndaj 13-vjeçares, duke akuzuar policinë. Kryeministri ishte në anën e përdhunuesve, vasalët e tij kriminalë e fshehën krimin. Këta përdhunues, që përsëritën katër muaj me djalin e deputetit të tyre, kur një i sëmurë me AIDS akuzoi kryetarin e grupit parlamentar për përdhunimin. Nëse ju qytetarë nuk do të kërreheni nuk do t’i keni të sigurt fëmijët në shkolla. Sa i përket Shalsit, e kam këtu videon ku thotë se ne do të vjedhim kur të jemi në pushtet, por me lezet”, deklaroi Berisha. Por këtyre akuzave ministri Lleshaj, do të hidhte poshtë pretendimet e opozitës.
“Të gjitha akuzat e ngritura ndaj policisë janë të dëmshme dhe dashakeqe. Publikimi në rrjetet sociale ka ndodhur pasi shtetasit janë arrestuar, para se keni bërë atë palo status. T’ju vijë turp që gënjeni Shqipërinë. Kriminel s’më thonë dot, i kam duart e bardha dhe jo të skuqura. Policia e shtetit i ka arrestuar përdhunuesit para se lajmi të bëhet publik”, u shpreh Lleshaj.
Përplasjet më të forta në Parlament për këtë ngjarje do të kishte edhe ndërmjet grave deputeteve. Kështu përplasja më e fortë do të ishte ndërmjet ministres Elisa Spiropali dhe deputetes së LSI-së, Silva Cakaj.

Ministrja Spiropali duke folur ne Parlament


“Ti Elisa si nënën, si nëna e një vajzë si ndihesh për këtë ngjarje? Kur shkon në darkë në shtëpi dhe zhvesh kostumin e ministres dhe deputetes, ti kur vendos vajzën tënde në gjumë a e mendon ndonjë herë a e mendon ndonjë herë se si do flisje nëse kjo ngjarje do i ndodhte vajzës tende? A të ngushëllon ty fakti që një ministre dhe thotë që thotë se këto ngjarje ndodhin në të gjithë botën dhe janë subjekt për filma. Mua më zien gjaku në vena kur e mendoj se kjo gjë mund ti ndodhte dy djemve të mi”, u shpreh deputetja Caka.
Përmendja e vajzës nga deputetja e LSI ka sjell reagimin e ashpër të ministres Siropali, e cila i është drejtuar me fjalën “llaporja e fundit” dhe i ka kërkuar të mos fëmijët për politikë. “Ej ej, mos bëj politikë me fëmijët. Vajzën time nuk guxon ta përmendësh këtu, llaxore”, u shpreh ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin.
Deputetja e opozitës iu drejtua se “sa i takon Elisa Spiropalit, që m’u drejtua me fjalën “llaxorja e fundit”, Elisë e dashur nuk më intimidon dot. E para sepse nuk e ndjej veten në atë kategori dhe e së dyti, marr parasysh se nga kush më vjen kritika. Sillu siç të ka hije, si nënë, si grua e pastaj edhe si deputete e ministre, mos bëj ato që një zotëri të vë përpara, e të thotë se çfarë të thuash”.

Kadastra dhe sulmet e Kryemadhit ndaj Gjonajt
Në rendin e ditës për votim në Parlament ishin dy dekretet e Presidentit për ligjin e “Kadastës” dhe “Noterinë”. Mazhoranca refuzoi të pranonte kërkesën e kreut të shtetit për të rishikuar “Noterinë”, por ka pranuar pjesërisht kërkesën për të rishikuar ligjin e “Kadastrës”.
Por në aulën e Parlamentit u pa një sulm i hapur i kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi ndaj ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, duke e akuzuar se po bën shantazhe ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve për të arrestuar zyrtarët e ministrisë së Drejtësisë. Në fakt një pjesë e zyrtarëve të akuzuar së fundmi janë edhe për shkak të faktit se një pjesë e zyrtarëve të arrestuar kanë qenë edhe përfaqësues të LSI-së, apo janë punësuar kur ministra kanë qenë përfaqësues të kësaj force politike.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku serish ka patur perplasje te forta ndermjet mazhorances dhe opozites/ Foto LSA


“Unë për hir të së vërtetës nuk e kam sulmuar duke pasur parasysh që është kushërira e një lidhje familjare të Ilir Metës, për shkak të lidhjeve të mia familjare me të. Por po i bëj me dije që nuk ka asnjë lloj mënyre që mund ta mbrojë Ministren e Drejtësisë duke shantazhuar punonjësit e saj, sepse ajo mund ta dijë shumë mirë që korrupsionin e ka brenda në shtëpinë e saj, në familjen e saj, le ti tregojë shqiptarëve pse është pushuar disa herë burri i saj nga Drejtoria e Tatimeve. Le t’i tregojë shqiptarëve cilat janë lidhjet e bashkëshortit të saj me Elvis Martinaj apo dhe me shumë pika të tjera të basteve. Dhe le tu tregojë shqiptarëve cila është lidhja e saj me pjesëtarë të qeverisë apo dhe me avokatët e saj që ka në Kosovë. Prandaj i them znj. Etilda Gjonaj që të jetë shumë e kujdesshme në telefonatat e saj apo dhe në mesazhet që ju çon gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sepse vërtetë SPAK-u do të ngrihet shumë shpejt por të jetë e bindu që SPAK-u do ta fillojë me ata të cilët kanë tentuar që ta kapin atë”, do të ishte deklarata e Kryemadhit.
Por ministrja do të reagonte ndaj këtyre qëndrimeve, duke mohuar akuzat e lëshuara nga ana Kryemadhi ndaj bashkëshortit të saj. “Nuk ka pasur asnjëherë të vetme një akuzë për korrupsion dhe nuk është larguar nga detyra për këtë shkak dhe kushdo që është i interesuar mund ta hetojë. Bashkëshorti im s’ka lidhje as me bandat dhe as lojërat e fatit apo subjekte që janë nën hetim për këto vepra penale dhe kushdo është i lirë ta verifikojë këtë. Përdorimi për shantazh është totalisht i papranueshëm”, do të deklaronte ministrja e Drejtësisë në Parlament. Përplasja mes ministres Gjonaj dhe Kryemadhit do të vijonte edhe në ditët në vazhdim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë