Futboll

Katër muaj pa u paguar, lojtarët e Vllaznisë nuk durojnë më

Rifillimi i stërvitjes u mirëprit nga klubet dhe futbollistët, por pa u mbushur java e parë e nisjes së përgatitjeve në fushë janë shfaqur problemet, që në fakt janë të akumuluara në futbollin tonë, nuk është se u shkaktuan nga koronavirusi. Vllaznia, një nga skuadrat më me emër të Superiores, ndodhet në një situatë kaotike. Lojtarët e saj kanë kërkuar shpjegime nga drejtuesit e klubit ditën e mërkurë për disa çështje të rëndësishme, por administratori Suad Lici nuk ka shkuar t’i takojë dhe ata janë irrituar së tepërmi, duke ia shprehur gjithçka stafit teknik.

Shkodranët kanë katër muaj pa u paguar, siç ka pohuar edhe vetë trajneri Mirsad Jonuz për “Panorama Sport”. Lojtarët e Vllaznisë nuk paguhen që në muajin janar, pra para se të shpërthente pandemia e Covid-19. Vonesat e pagave janë një problem i njohur për Vllazninë, - edhe për klubet e tjera në përgjithësi, - që administrohet nga bashkia e qytetit. Zakonisht, drejtuesit e klubit e argumentojnë këtë çështje me procedurat burokratike, me shpalljen dhe miratimin e buxhetit apo tenderave. Flitet edhe për përplasje në këshillin bashkiak, por fakt është që skuadra nuk është paguar për 4 muajt e fundit dhe shqetësimi i lojtarëve është i drejtë.

Vllaznia para një ndeshjeje. Gazeta Si, 21 maj 2020

Likuidimi i munguar i pagave mujore flet qartë për situatën te Vllaznia, ku ka jo pak lojtarë që vijnë nga qytete të tjera apo edhe nga jashtë Shqipërisë. Ata banojnë me qira dhe ushqehen në restorantet që i paguan klubi, por kriza financiare krijon jo pak probleme edhe në këtë drejtim.

Situatën e bën edhe më kaotike fakti që më 31 maj futbollistëve u përfundon kontrata dhe duhet një takim me përfaqësuesit e klubit për të vazhduar më tej, pasi tashmë kampionati shtyhet edhe dy muaj më shumë nga situata e krijuar. Në këtë rast, futbollistët nuk janë të detyruar me rregullore të vazhdojnë pas fundit të majit dhe kërkohet një akord mes tyre dhe klubit për pjesën shtesë. Është një çështje që kërkon zgjidhje të shpejtë, sepse skuadra rrezikon të humbasë shumë lojtarë pas 31 majit, aq më tepër duke ditur çështjen financiare.

Tani pritet fjala e drejtuesve të klubit, që sigurisht marrin direktiva nga institucioni i bashkisë. Kampionati rinis më 3 qershor dhe koha nuk pret.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë