Futboll

Kastriot Dermaku shënon që në ndeshjen e parë si titullar me Leçen

Mbrojtësi i Kombëtares, Kastriot Dermaku, vuri shenjën e tij që në ndeshjen e parë si titullar me Leçen. Ai shënoi në barazimin 2-2 ndaj Kremonezes, duke debutuar me sukses me fanellën e skuadrës së re, edhe pse idealja do të ishte që Leçe ta fitonte këtë ndeshje.

Dermaku kaloi vetëm pak ditë më parë nga Parma te Leçe, madje zyrtarizimi i transferimit u bë gjatë kohës që ai ishte i angazhuar me Kombëtaren për ndeshjet me Kazakistanin dhe Lituaninë. Një kalim që erdhi për faktin se 28-vjeçari synon të luajë rregullisht, gjë që te Parma e kishte të pamundur. Fillimi me Leçen duket i mbarë dhe në javët në vazhdim të kampionatit mbrojtësi shtatlartë pritet të jetë titullar.

Leçe u gjend në disavantazhin e dy golave në fushën e saj. Me fillimin e pjesës së dytë, Dermaku shkurtoi diferencën për skuadrën e tij dhe më pas erdhi edhe goli i barazimit nga Koda. Pas 4 ndeshjesh, Leçe ka 5 pikë, me 2 barazime, një fitore dhe një humbje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë