Politike

Rrëzohet ankesa e Berishës, KAS: Celibashi të regjistrojë PD në zgjedhje me Enkelejd Alibeajn si kryetar të komanduar (4 me 1 votat)

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi me shumicë votash që Ilirjan Celibashi të regjistrojë subjektin zgjedhor PD me nënkryetar Enkelejd Alibeajn në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë.

“Ankuesi të depozitojë në KQZ dokumentacionin shtesë si më poshtë: deklaratën me të dhënat për nënkryetarin, zotin Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar; deklaratën e angazhimit solemn të nënshkruar nga Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë, detyrimin e Komisionerit Shtetëror të regjistrojë subjektin zgjedhor Partia Demokratike, me nënkryetarin Enkelejd Alibeaj në cilësinë e kryetarit të komanduar të partisë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor brenda pesë ditëve nga shpallja e tij”, thuhet në vendimin e lexuar nga relatori i çështjet, Koli Bele.

Vendimi është marrë në raportin 4 me 1. Kunder këtij vendimi ka qenë vetëm një anëtar, Elvis Çefa.

Më herët, gjatë ditës së enjte, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) organi kompetent që shqyrton dhe zgjidh në rrugë administrative ankesat ndaj akteve të Komisionerit dhe KZAZ-ve shqyrtoi për më shumë se një orë dy kërkesat e palëve në PD njeri për tu legjitimuar si kryetar në zgjedhje dhe pala tjetër për tu regjistruar, por kjo e fundit me një kërkesë të re në fund që në fletën e votimit të jetë jo Lulzim Basha kryetar por Enkelejd Alibeaj. Një kërkesë kjo që sipas anëtarit të KAS, Elvis Cefa nuk i takon atij organi ta vendosë por gjykatës.  

Anëtarët e KAS janë: Elvin Lako, Elvis Çefa, Ilirjan Rusmali, Koli Bele dhe Ledio Braho.

Të dy palët në PD patën ankesa për Ilirjan Celibasin në KAS. Përfaqësuesi i Berishës tha se Celibashi beri gjykatësin me argumentin se s’ka ende vendim të formës së prerë nga gjykata për kryetarin. Ndërsa përfaqësuesi i Alibeajt, Indrit Sefa tha se Celibashi bëri interpretim të gabuar të ligjit për deklaratën solemne nga ana e kryetarit, pasi kryetari sipas tij nuk firmos asnjë herë personalisht por në emër të partisë

Por pse Basha rezulton ende kryetar kur vete pala që sot përfaqëson Alibeajn thotë se ka dhënë dorëheqjen?

“Ligji e thotë shprehimisht se çdo kërkesë për ndryshimet në Statutin e PD-së depozitohen në gjykatë.  Nuk është zgjedhur kryetari i ri i PD-së i Partisë Demokratike.  Statuti thotë se kryetari i partisë i cakton detyra në fusha të ndryshme përmes një autorizimi. Në mungesë të këtij autorizimi Sekretari i përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar që komandon nënkryetarin deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Pra, zonja Tabaku refuzoi të marrë përsipër këtë detyrë kur u mblodh Këshilli Kombëtar për ta komanduar. Në këtë rast nuk kishte alternativë dhe Këshilli ishte i detyruar të zgjidhte njërin.  Pra për këtë arsye ne nuk e kemi regjistruar. Kryetari i ri duhet të ishte zgjedhur më ‘një anëtar, një votë’”, iu përgjigj Sefa.

Ai sqaroi gjithashtu se ligjshmeria e autorizimit qendron deri sa te zgjidhet kryetari i ri.

Ndërsa përfaqësuesi i Berishës argumentoi te kunderten.

Nuraj tha se autorizimi i nënshkruar nga Lulzim Basha nuk ka më vlerë ligjore, pasi një vërtetim e ka vlerën deri në tre muaj.

Ndërkohë, për deklaratën solemne ai tha se është kompetencë e kryetarit dhe jo subjektit, dhe për këtë arsye kërkoi që dokumentet mos të merren në shqyrtim.

“... S’duhet të pranohen provat e palës tjetër, një autorizim i nënshkruar para një viti nga një kryetar i dorëhequr dhe përcaktonte se ca do ndodhte pas një viti, një vendim i gjykatës që ende s’ka marrë formë të prerë. Një vërtetim e ka vlerën deri në tre muaj, pas tre muajsh në çdo institucion që ta marrim, nuk pranohet nga askush dhe të kthehet mbrapsht. Nuk ka as numër protokolli, mund të kemi edhe elementë të një dokumenti të falsifikuar doja që të s’kualifikohej si provë. Deklarata është një kërkesë e ardhur, si një sugjerim i organizmave që kanë 32 vjet që monitorojnë zgjedhjet. Është përgjegjësi individuale, nuk është e drejtë që mund të delegohet”, tha Nuraj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë