Futboll

8 orë seancë maratonë në CAS, vendimi për Skënderbeun publikohet pas 4 javësh

Do të zgjatet me katër javë beteja ligjore e Skënderbeut me UEFA-n. Çështja ka vazhduar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë, ku klubi korçar shpreson të fitojë të drejtën e tij dhe të heqë dënimin prej 10 vitesh jashtë Kupave të Europës, të dhënë nga UEFA gati tri vjet më parë.

Në Lozanë u zhvillua seanca dëgjimore e cila ka zgjatur më shumë se 8 orë dhe klubi Skënderbeu u përfaqësua nga presidenti Ardjan Takaj dhe nga një studio ligjore e huaj. Kjo seancë dëgjimore, sipas informacioneve të marra në rrugë jo zyrtare pranë klubit korçar, ka zgjatur deri në orët e vona të kësaj të marte. Nga drejtuesit e Skënderbeut pretendohet se dënimi 10-vjeçar është dhënë pa fakte, ndaj dhe ata e kërkojnë të drejtën në KAS. Kjo gjykatë nuk e ka marrë sot vendimin përfundimtar në lidhje me çështjen. Pas seancës dëgjimore, KAS-i ka 30 ditë afat për të dhënë vendimin.

Në Korçë pritet me shumë interes fjala e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, me shpresën e fitores, por tifozët e Skënderbeut duhet të presin edhe pak kohë për të mësuar vendimin. Vendimi që do të bëhet publik pas katër javësh do të ketë ndikim edhe në kampionatin aktual, ku Skënderbeu mban vendin e 4-t aktualisht dhe pjesëmarrja ose jo e tij në Kupat e Europës ka shumë rëndësi edhe për disa ekipe të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë