Lajme

Karta identiteti dhe viza false, arrestohen dy shqiptarë në Greqi

Organet greke kanë arrestuar dy shtetas shqiptarë, pasi u janë gjetur 350 karta identiteti gjermane dhe franceze bosh si dhe 100 viza gjermane.

Personat e arrestuar janë një shofer autobusi i një linje Shqipëri-Greqi dhe ndihmësi i tij, përkatësisht 41 dhe 38 vjeç.

Arrestimi i tyre është kryer në rrugën Ionia pranë Artës nga departamenti policor i kësaj zone.

Pas kontrollit që është bërë në automjetin e linjës janë gjetur të fshehura pas sediljes së shoferit në brendësi të kabinës së tij, dokumentet në fjalë.

Dy të arrestuarit janë çuar te prokurori i zonës ku u është dhënë akuza për falsifikim. Identiteti dhe të dhënat e tyre ende nuk janë publikuar, pasi hetimet po vazhdojnë për të gjetur bashkëpunëtoret e tyre.

Dyshohet se ata janë pjesëtarë të një rrjeti që kryen trafikimin e refugjatëve nga Greqia drejt vendeve të Europës qendrore.

Dokumentet e mësipërme dhe autobusi u konfiskuan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë