Analize

Karpushin: Të rinjtë shqiptarë duan të arsimohen në Rusi

Edhe pse marrëdhëniet mes Moskës dhe Tiranës duket se u ftohën pas dëbimit të dy diplomatëve rusë, dhjetëra studentë shqiptarë po zgjedhim Rusinë për të ndjekur arsimin e lartë.

Sipas Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri, Aleksandër Karpushin, 50 të rinj shqiptarë janë pranuar këtë vit shkollor në universitetet ruse, ndërkohë që shumë të tjerë po ndjekin kurse intensive për të mësuar gjuhën ruse.

Në një interviste më “Albanian Daily News” , Karpushin shprehet se edhe pse bashkëpunimi ekomomik dhe kontaktet politike mes dy vendeve janë zbehur, në Shqipëri ka një kërkesë të madhe për kulturën dhe arsimin ruse.

Përfaqësuesi më i lartë i Moskës në Tiranë shprehu mendimet e tij mbi zhvillimet më të fundit në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës dhe marrëdhëniet mes Moskës dhe Tiranës.

Karpushin i konsideroi lidhjet shqiptaro-ruse si normale, por sipas tij, bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik ka mbetur në gjendje stanjacioni, kjo edhe për shkak të mbështetjes së qeverisë shqiptare për sanksionet perëndimorë ndaj Rusisë dhe dëbimi i dy diplomatëve rusë nga Tirana.

“Siç e kam theksuar më parë, një goditje serioze ndaj marrëdhënieve tona ishte dëbimi i pabazë i dy diplomatëve rusë nga Tirana në pranverën e këtij viti. Ne ende ndiejmë pasojat e këtij hapi jo miqësor”, theksoi përfaqësuesi më i lartë diplomatik i Rusisë në Tiranë.

Edhe pse presidenti Putin i dërgoi së fundmi presidentit Ilir Meta një urim për pavarësinë, Karpushin shprehet se kontaktet politike mes Moskës dhe Tiranës mbeten në një nivel jashtëzakonisht të ulët. Masazhi i kreut të Kremlinit duket se është një sinjal se marrëdhëniet ruso-shqiptare po synojnë ngritjen në një nivel të ri pas shumë vitesh ftohjeje.


Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, Aleksandër Karpushin

“Marrëdhëniet Shqipëri-Rusi kanë ende probleme, ndërsa vendet tona po kalojnë një periudhë jo të lehtë. Po punojmë për të rivendosur lidhjet dypalëshe të ndërprera prej 30 vitesh. Shpresoj që takimi i bashkëkryetarëve të Komisionit Ndërqeveritar Rusi-Shqipëri për Tregti, Bashkëpunim Ekonomik, Shkencor dhe Teknik, të planifikuar për në dhjetor në Moskë, do të lejojë përmirësimin e situatës”, shprehet Karpushin. Në këtë takim delegacioni shqiptar i kryesuar nga Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Financave, Albana Shkurta, do të ketë mundësi të diskutojë të gjithë gamën e çështjeve dypalëshe, duke u fokusuar, natyrisht, në zgjerimin e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike.

Por sipas ambasadorit, bashkëpunimi në sferën e kulturës dhe arsimit është rritur me hapa të papritur. Sipas tij Shqipëria ka një kërkesë të madhe për kulturën ruse.

“Baza kryesore e këtij bashkëpunimi është kërkesa për kulturën ruse dhe arsimin në Shqipëri, dëshira në rritje e të rinjve për të mësuar gjuhën ruse dhe për t’u arsimuar në Rusi”, deklaroi Karpushin. “Numri i bursave të financuara nga buxheti rus është rritur me më shumë se dy herë gjatë dy viteve të fundit. Këtë vit 50 të rinj shqiptarë janë pranuar në universitetet ruse ", tha ambasadori gjatë intervistës.

Duke radhitur ngjarjet e veçanta kulturore të organizuara në vitin 2018, ai u shpreh: “Do të përmendja koncertet e Korit Sinodal të Moskës në Tiranë dhe Berat, me rastin e vizitës së Patriarkut Kirill në Shqipëri, koncertin e lojtarit brazilian rus, Arkady Shilkloper në Tiranë, shfaqjet e ansamblit të këngëve ruse "Vertograd" në Berat dhe Vlorë, si dhe koncertin e dy interpretuesve të rinj nga Shtëpia Muzikore e Shën Petersburgut në Vlorë. Vitin e ardhshëm shpresojmë të ndërtojmë kontaktet tona në fushën humanitare dhe të kënaqim audiencën shqiptare me projekte interesante kulturore.”

Presidentit rus, Vladimir Putin dhe Hashim Thaçi

I pyetur për takimin e fundit midis Presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij në Kosovë, presidentit Hashim Thaçi, ambasadori rus tha se takimi nuk ishte planifikuar paraprakisht dhe se nuk do të ndikojë tek pozicioni i Rusisë mbi Kosovën

“Në Francë Presidenti Putin mbajti dhjetëra takime. Biseda me Thaçin nuk ishte planifikuar paraprakisht dhe prandaj nuk mund të ishte thelbësore. Është e qartë se një kontakt i një lloji të tillë nuk mund të ndikojë në qëndrimin e Rusisë ndaj Kosovës, e cila bazohet në të drejtën ndërkombëtare, kryesisht në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sa i përket dialogut Beograd-Prishtinë, ai po zhvillohet me ndërmjetësim të Bashkimit Europian. Rusia e mbështet plotësisht këtë proces dhe vë në dukje se një sërë marrëveshjesh të arritura mbeten ende të pazbatuara”, tha ai.

Ambasadori rus fajësoi në radhë të parë Kosovën, duke thënë se Prishtina nuk ka përmbushur premtimin e për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Ai thekson po ashtu se Moska zyrtare do të mbështesë çdo zgjidhje që pranohet nga Beogradi.

“Prishtina po pengon krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë në çdo mënyrë të mundshme. Ne shpresojmë që Brukseli do të jetë në gjendje të sigurojë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve ekzistuese. Është ende herët të flitet për një rezultat të mundshëm, por, siç vuri në dukje ministri Sergej Lavrov, nëse Beogradi mendon se ka një mundësi për arritjen e një marrëveshjeje, pala ruse do të jetë e gatshme ta konsiderojë pranimin e këtij pakti”, deklaroi ai.

Komentet e përfaqësuesit më të lartë të Moskës në Tiranë, erdhën pasi Hashim Thaçi u takua për herë të parë me Presidentin e Rusisë, kundërshtarin më të ashpër të Kosovës.

Pas postimit të një fotoje me kreun e Kremlinit, Thaçi shkruante se Putin i ka bërë të ditur se nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë.

“Në Paris u takova më presidentin Putin, u fokusuam në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme. Për këtë temë presidenti Putin ishte i qartë: Nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë”, shkruan Thaçi.

Qëndrimi “paqësor” i Putinit ishte një lëvizje e papritur politike nga ana e Kremlinit, pasi ai është bërë përkrahësi kryesor i Serbisë për mos njohjen e pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Të njëjtin qëndrim duket se mban edhe Karpushin, i cili theksoi ndër të tjera se Moska është më e gatshme se kurrë të pranojë arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë