Art dhe Kulture

Karnavalet e Shkodrës, tradita e ngjyrave, maskave dhe personazheve

Nga Gazeta Si- Në qytetin e Shkodrës kanë nisur që prej të premtes festimet e Karnavaleve, një festë tradicionale që daton nga viti 1864.

Menjëherë pasi bashkia hapi zyrtarisht 3 ditët e festës, rrugët e Shkodrës u mbushën me fëmijë dhe të rritur që ishin veshur me maska veneciane dhe me kostume nga personazhe.

I gjithë qyteti është pushtuar nga ngjyrat e festës që do të zgjasë për 3 ditë. Dy ditët e para i janë dedikuar fëmijëve dhe të rinjve të shkollave të qytetit, me organizime në zona të ndryshme. Parashikohet që çdo gjimnaz të ngjitet ne skenë me një shfaqje, në bazë të minutazhit të caktuar nga grupi organizativ.

Përveç shfaqjeve të të rinjve do të mbahen edhe tre puntori, si ajo e kllounatave, e punimit të maskave dhe e makeup artist-ëve. Parada e çifteve me kostume e maska veneciane do të pasohet nga një lightshoë dhe një koncert surprizë.

Ndërkohë që e diela do jetë një spektakël më vete me karvanin e karnavaleve që do të përshkojë rrugët e Shkodrës, ku do të ketë parada, muzikë, bejte, artistë të mirënjohur etj.

Në 17:15 do të nisë marshimi drejt dordolecit, i cili do të pasohet nga një dragon shoë dhe djegia e dordolecit që simbolizon djegien e fenomeneve negative duke pritur ardhjen e stinës së pranverës.

Ndërkohë, në mbrëmje do të ketë festime në mbi tridhjetë bare, restorante e hotele.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë