Futboll

Karlo Ançeloti diplomohet mes lotësh: Futbolli më ka mësuar respektin!

Gazeta Si – Një diplomim ‘honorem’ sjell edhe ndonjë lot. "Jemi një familje gjenetikisht e ndjeshme, ndaj dhe në një moment kaq emocionues është normale të reagoj në këtë mënyrë”, - thotë Karlo Ançeloti, i sapodiplomuar në Shkencë dhe Teknikë të aktiviteteve motorike.

Titullin akademik ia ka dhënë Universiteti i Parmës, gjatë një ceremonie me rreth 500 spektatorë, mes tyre shumë studentë. Pas fjalës së hapjes së rektorit Paolo Andrei, i cili ka ndjekur rrugëtimin sportiv të Ançelotit, është lexuar edhe ‘Lectio Doctoralis’ e trajnerit aktual të Realit me titullin: "Futbolli, një shkollë jete".

Në sallë ishin shumë figura të njohura të futbollit, si Arrigo Saki, Ariedo Braida, Fabio Pekia etj. Fjalimi i Ançelotit për 44 vite eksperiencë në futboll, si lojtar dhe trajner, është shoqëruar shpesh me duartrokitje. Gjithmonë me vetullën e majtë ngritur lart (shenjë e emocioneve të mëdha), Ançeloti ka kujtuar episodet e jetës së tij futbollistike.

Disa esktrakte të ‘Lectio Doctoralis’ janë: "Talenti është një fakt gjenetik, nuk mund të krijohet në stërvitje. Futbolli më ka ndihmuar të përmirësoj marrëdhënien me të tjerët, më ka mësuar të kem respekt për rregullat, për shokët dhe kundërshtarët.

Të jesh një trajner do të thotë mbi të gjitha të dëgjosh të tjerët, bashkëpunëtorët dhe lojtarët, pastaj të marrësh vendime. Unë përpiqem të transmetoj idetë e mia, jo t’i imponoj ato. Jam i qetë, jam i duruar, shumë i duruar. Kam fatin të jem i përfshirë nga një pasion i madh për këtë sport. Një pasion që e kisha kur isha 15 vjeç dhe që e kam edhe sot.

Arrigo Sakit, në rresht të parë, Ançeloti i dedikoi këto fjalë: "Arrigo ka qenë një marsian. Pati forcën dhe kurajën të rinonte një ambient që ishte pak prapa, i lidhur me tradicionalen”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë