Lajme

Karamelo pranon mandatin: Edhe Dule do të vepronte si unë

Pak pasi dorëzoi formularin e Dekriminalizmit, kreu i OMONIA-s në Korçë, Ligoraq Karamelo ka folur mbi arsyet se pse e ka ndërmarrë një vendim të tillë. Kandidati i PBDNJ-së në listën e Partisë Demokratike për qarkun e Korçës deklaroi se mandati u takon atyre që kanë dhënë kontribut për zgjedhjet parlamentare.
“Mandati u takon atyre qe kanë dhënë kontribut. Jam i detyruar të pranoj mandatin për qytetarët. Me kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule nuk jam dakord për dorëzimin e mandatit. Nuk duhet të braktiset Parlamenti”, deklaroi Karamelo.
Por më tej ai shtoi se “nga pozicioni që ka Dule, e justifikoj veprimin e tij. Në kushte të tjera Dule do të vepronte si unë”.
Kandidati për deputet refuzoi që të nënshkruante deklaratën e PD-së për mos marrjen e mandatit. Karamelo ka qenë edhe më parë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, me siglën e PBDNJ-së.
Në listat e PD-së, veç Lefter Maliqit, janë edhe kandidatët e tjerë që kanë refuzuar marrjen e mandatit si Kujtim Gjuzi (aleat i PD-së), Majlinda Halilaj në listën e Tiranës. Ndërsa deputetët aktualë Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi kanë refuzuar që të dorëzojnë mandatin e deputetit.
Pas depozitimit të listës në rrugë zyrtare nga ana e kryedemokratit Lulzim Basha në KQZ me deklaratat e kandidatëve për mos marrjen e mandatit të deputetit, pritet që ky institucion të shprehet mbi këtë akt të ri të opozitës.
Kodi Zgjedhor nuk e parashikon deklaratat paraprake, të atyre kandidatëve, të cilët më parë kanë shprehur vullnetin për të qenë në listë, e që KQZ-ja i ka miratuar ato. Ky akt i sotëm është nul nga ana ligjore e opozitës, por që KQZ-ja pritet të shprehet zyrtarisht në lidhje me një veprim të tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë