Rend dhe Ligj

Kapet në Bullgari grabitësi i 5 i Rinasit. Rama: Rrethi po ngushtohet

Policia e Shtetit thotë se ka arrestuar mbërmjen e djeshme në Bullgari një të dyshuar si të përfshirë në grabitjen e Rinasit në 9 prill.

I arrestuari sipas policisë, është i dyshuar si një prej autorëve të grabitjes së bujshme dhe mësohet se ai është Elton Pikli, banues në Krujë.

Në ngarkim të tij materialet iu referuan Prokurorisëpër Krime të Rënda Tiranë për veprën penale të “Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal”, “Mbajtjes pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Vrasje e punonjësve të policisë” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.

Ndërkohë më herët, si të dyshuar janë arrestuar katër persona, Alkond Bengasi, 34 vjeç, Saimir Çela 28 vjeç, Renaldo Sula dhe Oltian Veseli, 38 vjeç nga Kruja, të cilët akuzohen se kanë lidhje me grabitjen.

Grabitja e thasëve me euro ndodhi pak para orës 15.00 të 9 prillit, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me pesë persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.

Grabitësit hipën në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.

https://twitter.com/ediramaal/status/1120710544447737863

Ndërkohë kryeministri Edi Rama, ka përshëndetur aksionin e policisë për arrestimin e të dyshuarit nga Kruja, si të përfshirë në supergrabitjen e Rinasit.

“Arrestohet edhe një autor tjetër i grabitjes së Rinasit, duke e ngushtuar më tej rrethin e keqbërësve falë punës intensive dhe profesionale të Policisë së Shtetit. E cila po provon se ka kaluar në një nivel të ri fuqie goditëse ndaj krimit, duke folur përditë me rezultate konkrete”, shkruan Rama.

https://twitter.com/SanderLleshaj/status/1120746849307119618

Edhe Ministri i Brendshëm ka reaguar pas kapjes së të dyshuarit të pestë të grabitjes në Rinas.

Në Twtiter, Sandër Lleshaj shkruan se “goditja ndaj grupit të grabitësve në Rinas vazhdon. I pesti u mbyll prapa hekurave, duke e shtrënguar darën afër maksimumit. Respekt për punën e Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë!".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë