Rend dhe Ligj

Kapet 39-vjeçari nga Rrësheni, shfrytëzonte një 22-vjeçare si prostitutë

Policia e Tiranës ka goditur një rast të shfrytëzimit të femrave për prostitucion, duke ndaluar një 39-vjeçar me precedent të theksuar kriminal.

Pas një hetimi disamujor, policia thotë se Adrian Mykaj (alias Adrian Uka), 39 vjeç, lindur në Rrëshen dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Trafikim të personave me qëllim shfrytëzimin për prostitucion”.

Siç njofton policia, 39-vjeçari shfrytëzonte për prostitucion një 22-vjeçare dhe po përgatitej për ta trafikuar drejt Belgjikës, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike, 1 aparat celular dhe një dokument i dyshuar i falsifikuar. Gjatë shoqërimit për në Komisariat, ai ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.

Gjithashtu është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasja M. M., 21 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat ‘’Shfrytëzimi i prostitucionit’’, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në ngarkim të shtetasit Adrian Mykaj (alias Adrian Uka), 39 vjeç, si dhe për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, në ngarkim të shtetases M. M.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë