Rend dhe Ligj

Kapet 17-vjeçari që shpërndante drogë në Tiranë, arrestohet edhe lushnjari për tentativë vrasje

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 17-vjeçar, pasi shpërndante drogë nëpër kryeqytet.

Policia thotë se është vënë në pranga shtetasi me inicialet M. D., 17 vjeç, i cili në momentet e arrestimit ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.

Gjatë kontrollit fizik iu gjetën 7 qese me lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa dhe një shumë lekësh të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike.

Ndërkohë, Policia e Kavajës ka arrestuar në flagrancë shtetasin me inicialet I. S., banues në Lushnjë, pasi, për motive të dobëta ka plagosur me thikë shtetasin N. C., i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës thikë.

Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë