Ka ndodhur

Kapen me 21 kg drogë, pranga 2 shqiptarëve në kufirin e gjelbër me Greqinë

2 persona janë arrestuar në Korçë, pasi akuzohen për trafik droge.

Policia thotë se shtetasit e prangosur janë kapur me 21 kg drogë me vete në çantat e shpinës, në kufirin e gjelbër me Greqinë.

Në pranga kanë rënë shtetasit R. N., 41 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë dhe I. M., 54 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq (i dënuar më parë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”).

“Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë, në afërsi të fshatit Cerje, Pustec, në kufirin e gjelbër me Greqinë, me dy çanta shpine, brenda të cilave u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 21 kg e 500 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, sasi të cilën këta shtetas po tentonin ta trafikonin në drejtim të Greqisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë