Lajme

Kapen 300 kg drogë në Vlorë, në pranga 10 anëtarë të rrjetit kriminal

Një operacion antidrogë përfundoi me sekuestrimin e 328 kilogram kanabis sativa në Vlorë dhe disa persona të ndaluar, mes tyre dy të arrestuar si posedues të drogës.

Sipas informacioneve, hetimet kishin nisur tre ditë më parë për grupin e strukturuar kriminal.

Dy personat e arrestuar janë Elton Muço 40 vjeç, si dhe Olsi Ylli 30 vjeç, të cilët u kapën duke ruajtur drogën.

Operacioni nisi tre ditë më parë me kërkimin dhe gjetjen e dy mjeteve lundruese, që dyshohej se këta shtetas do t’i përdornin për të trafikuar lëndën narkotike drejt Italisë.

Organizatorët e këtij grupi kriminal, për t’iu shmangur policisë kishin parkuar në vendbazimin e gomoneve, mjete të tjera lundruese  të prishura, ndërsa dy mjetet e rregullta u gjetën nga Policia, njëra në gjirin e Shën Janit dhe tjera në Dukat të Vlorës.

Më pas është bërë krehja e një zone të gjerë në Karaburun, ku në gjirin e Petrunës, forcat policore bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike të fshehur, me peshë totale 328 kg.

8 personat e tjerë janë identifikuar me inicialet, E. Ç, 35 vjeç,  banues në Orikum  Vlorë, në rolin e organizatorit. S.D, 45 vjeç, banues në Vlorë, në rolin e  organizatorit., A.Gj, 22 vjeç, banues në Orikum Vlorë, në rolin e organizatorit.

Xh. H, 26 vjeç, banues në  Orikum Vlorë,  anëtar i grupit kriminal. G. K, 27 vjeç, banues në Dukat Vlorë, anëtar i grupit kriminal. N. S,  45 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal, O, P, 29 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal. E. M, 40 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal. H.B, 51 vjeç, banues në Dukat Vlorë, anëtar i grupit kriminal. A.B, 19 vjeç, anëtar i grupit kriminal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë