Lajme

“Kap Ça t’Kapësh”, shoqatat e gjyqtarëve: Rama po kërcënon drejtësinë

Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata kombëtare e gjyqtarëve reagojnë ndaj akuzave të ashpra të kryeministrit Edi Rama të lëshuara një ditë më parë në Parlament që i cilësoi një pjesë të prokurorëve dhe të togave të zeza si banda më e rrezikshme në Shqipëëri. Me anë të një deklarate për shtyp Unioni i cilëson deklaratat e kryeministrit Edi Rama si kërcënim ndaj sistemit të drejtësisë. “Qëndrime të tilla të përsëritura nga funksionarë të ekzekutivit, jo vetëm që nuk i shërbejnë raporteve ndërinstitucionale por janë një kërcënim ndaj pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duke minuar ndërkaq besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Parimi i ndarjes së pushteteve qëndron në themel të demokracisë sonë kushtetuese dhe presupozon që asnjë pushtet nuk është epror ndaj tjetrit. Shoqatat tona janë të hapura për individualizimin e çdo shkeljeje ligjore në veprimtarinë e gjyqtarëve apo problematikave në tërësi në sistemin e drejtësisë dhe kanalizimin e tyre në institucionet përkatëse, në formën e sanksionuar nga legjislacioni në fuqi”, thuhet në reagimin e dy shoqatave.
Më tej theksohet se shoqatat e gjyqtarëve kanë mirëpritur çdo adresim të problematikave që lidhen më gjyqësorin në forumet e duhura, sikurse kanë dënuar çdo veprim apo mosveprim të kryer nga gjyqtarë të caktuar në shkelje të misionit të tyre, duke zgjedhur për këtë rrugën e përcaktuar nga Kushtetua dhe ligjet në Republikën e Shqipërisë dhe mbështetur reformën në drejtësi.
“Ndërsa qëndrimet agresive e të adresuara gabim, në kohën e zbatimit të një reforme kaq të thellë për sistemin, sjellin pasoja të dëmshme për reformën. Së fundi, Shoqata Kombëtare dhe Unioni i Gjyqtarëve dëshirojnë të ftojnë Këshillin e Lartë Gjyqësor, si institucioni i ngarkuar me garantimin e pavarësisë dhe përgjegjshmërisë së pushtetit gjyqësor si dhe miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të palodhur për konceptimin dhe vënien në jetë të reformës në drejtësi, për të mbajtur qëndrimin e tyre në lidhje me sjelljet shfaqura kohët e fundit”, thuhet në deklaratën e tyre.
Kryeministri Edi Rama por edhe eksponentë të tjerë të qeverisë po sulmojnë ashpër prokurorë e gjyqtarë duke i akuzuar si të lidhur me krimin dhe që i shërbejnë bandave të caktuara. Shkak është bërë hetimi i nisur ndaj ish-kreut të Kadastrës së Durrësit, ku Rama dhe numri dy i qeverisë, Erjon Braçe kanë sulmuar ashpër prokurorin Arjan Ndoja. “Këtë grupin K-Ç-K, ky Parlament duhet ta shpallë grup në kërkim dhe e them jo në mënyrë metaforike, por në mënyrë të drejtpërdrejtë. Duhet ta shpalli në kërkim me çdo mënyrë, duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu, gjithë sëbashku. Është e kotë t’i bëjmë njëri-tjetrit predikime dhe është e kotë që nga tryezat e opozitës të ngrihemi këtu dhe të fajësojmë qeverinë, apo nga tryeza e qeverisë të ngrihemi këtu e të justifikojmë. Procesi i vetting-ut, për të përfunduar, dihet, do kërkojë ende disa vjet dhe nuk mund të lejojmë edhe disa vite të tjera që prokurorë si ai i Durrësit, gjykatës si ajo në Durrës, apo plot të tjerë si ata të bëjnë kërdinë mbi njerëzit”, deklaroi Rama në Parlament. Kryeministri kërkoi që Parlamenti të miratonte një ligj të posaçëm për këtë çështje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë