Lajme

Kaosi për numrin e votuesve, KQZ: Raportimi me telefon, jo metodë e re dhe zyrtare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërhyrë edhe një herë sot në lidhje me debatin e shifrave të raportuara mbi pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhjet e 30 qershorit. Për KQZ-në metoda e raportimit të numrit të pjesëmarrësve me anë të telefonit nuk është se është aplikuar për herë të parë në një proces zgjedhor nga ky institucion.
“Transmetimi i informacionit nga KZAZ në KQZ për pjesëmarrje në votime përmes telefonit celular, është përdorur edhe në zgjedhjet e mëparshme në kushtet e mungesës së modulit për realizimin e transmetimit të tij. Në zgjedhjet vendore 2015, ato për Kuvendin 2017, zgjedhjet e pjesshme 2013, 2016, 2017, transmetimi i informacionit për pjesëmarrje në votime nga KZAZ-të në KQZ është bërë si përmes dërgimit me e-mail të të informacionit, po ashtu edhe me anë të telefonit celular kur KZAZ nuk arrinin të dërgonin informacion në rrugë elektronike, për shkak të ngarkesës së punës, ose qoftë edhe për neglizhencë”, thuhet në deklaratën e KQZ-së.

Informacioni që transmeton KZAZ në KQZ për pjesëmarrje ditën e votimit, bazohet në të dhënat e transmetuara përmes telefonit celular nga KQV-të, ku për shkaqe objektive si mos mbulimi i zonave të caktuara gjeografike me sinjal telefonik, mungesës së komunikimit nga ana e sekretarëve të QV-ve, në asnjë rast nuk mund të pretendohet saktësia e tyre. Gjithashtu, sipas KQZ-së, duhet marrë në konsideratë fakti që lista e zgjedhësve administrohet nga Kryetari i KQV-së, ndërsa të dhënat transmetohen nga sekretari i KQV-së, i cili duke mos disponuar dokumentin (listën e zgjedhësve) ku numri i votuesve evidentohet përmes nënshkrimeve, referon të dhëna për pjesëmarrjen në votime bazuar në shënimet e mbajtura, pra është evidente se shifra e transmetuar nga Sekretari i KQV-së nuk mund të ketë saktësi maksimale.

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj


Sa u përket pretendimeve të ngritura nga kryekomisioneri Klement Zguri dhe ka një sistem online të raportimit dhe se nuk është respektuar, KQZ-ja jep sqarimin se kjo procedurë përdoret për raportimit të votave nëpërmjet VNV-ve dhe KQZ-së.
“Për sa më sipër, transmetimi i informacionit për pjesëmarrje në votime gjatë ditës së zgjedhjeve përmes telefonit nuk është metoda e përzgjedhur për këto zgjedhje, është metodë e përdorur në të gjitha zgjedhjet nga administrata zgjedhore, duke pikënisur nga Komisioni i Qendrës së Votimit drejt KZAZ e më tej nga KZAZ në KQZ, referon të dhëna paraprake, nuk përfshin informacionin nga të gjitha Qendrat e Votimit, dhe për këto shkaqe nuk mund të pretendohet saktësia e tij. Për ilustrim, në zgjedhjet 2017, të dhënat e publikuara nga KQZ për pjesëmarrjen në zgjedhje në orën 10:00 referonin raportimet e bëra nga 25% e QV; në orën 13:00 referonin raportimet e bëra nga 26,37% e QV, në orën 16:00 referonin raportimet e bëra nga 11,30% e QV, dhe në orën 19:00 referonin raportimet e bëra nga 19% e QV”, sqaron KQZ-ja.

Për këtë institucion dhënë e shifrave paraprake nuk do të thotë se janë zyrtare, pasi ato janë vetëm kur shpallet rezultati përfundimtar. Sa më sipër, edhe në zgjedhjet e datës 30 qershor, sikundër edhe në proceset zgjedhore të mëparshme, publikimi i informacionit nga KQZ për pjesëmarrje në votime gjatë ditës së zgjedhjeve, ka referuar të dhëna të cilat nuk mundet të konsiderohen të dhëna zyrtare përfundimtare për pjesëmarrjen në votime, sikundër në çdo zgjedhje janë konsideruar informacion paraprak dhe nuk janë përputhur me të dhënat zyrtare që disponohen vetëm nga dokumentacioni zyrtar zgjedhor: procesverbalet e plotësuara nga KQV pas mbylljes së votimit.

“Shpresojmë se ky sqarim publik do t’ju krijojë bindjen se pasaktësitë e pretenduara, mbeten në kuadër të pretendimeve të pabazuara dhe të qëllimshme, pasi sikundër KQZ ka theksuar informacioni për pjesëmarrje në votime ka qenë paraprak, pra i “pasaktë” sikundër edhe në zgjedhjet pararendëse, mund të provohet lehtësisht në faqen zyrtare të KQZ por edhe në materiale filmike të mediave, pavarësisht se për këto zgjedhje po synohet t’i jepet vëmendje për shkaqe që janë përtej natyrës, misionit dhe punës së KQZ”, mbyll deklaratën ky institucion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë