Lajme

Kaos në Francë nga tifozët e Algjerisë, një viktimë dhe policë të plagosur

Mijëra tifozë algjerianë kanë dalë në rrugë në vendin e tyre, por edhe në Francë, për të festuar kualifikimin e kombëtares së futbollit në gjysmëfinale. Kjo festë ka shkaktuar në qytetet më të mëdha të Francës, ku ka pasur edhe një viktimë për shkak të një aksidenti. Dhjetëra policë të plagosur gjithashtu, si dhe shumë tifozë të ndaluar.

Kualifikimi për në gjysmëfinale të Kupës së Afrikës, i arritur pas penalltisë së fundit ndaj Bregut të Fildishtë, ka bërë që tifozët e Algjerisë të shpërthejnë në festë kudo. Jo vetëm në vendin e tyre, por edhe në Francë, sidomos në Paris. Gjithë natën kryeqyteti francez është pushtuar nga vargjet e makinave të ngjyrosura me të bardhë dhe jeshile. Një festë që është prishur nga një aksident, që ka shkaktuar një të vdekur.

Në Montpelje, një tifoz algjerian ka humbur kontrollin e makinës dhe ka përplasur një familje të tërë, duke shkaktuar vdekjen e nënës. Në spital janë transportuar me urgjencë dy fëmijë, njëri nga të cilët i sapolindur dhe në gjendje të rëndë për jetën. Në Paris, në lagjen Barbes, ku jeton një numër i madh algjerianësh, është bllokuar totalisht trafiku nga forcat e rendit, duke krijuar shumë probleme në qarkullimin e mjeteve. Shumë tifozë kanë parakaluar në Shamps Elize, ku gjatë natës disa individë kanë përfituar nga kaosi dhe kanë thyer xhamat e dyqaneve për të vjedhur. Në fund, turmat e algjerianëve në Paris dhe në Marsejë janë shpërndarë vetëm pas ndërhyrjes së policisë. Bilanci i këtyre festimeve është 74 persona të ndaluar dhe rreth 20 agjentë policie të plagosur lehtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë