Bota

Kaos në Bejrut, snajperët vrasin 6 persona në protestën e Hezbollahut (Video)

Të paktën 6 të vdekur dhe më shumë se tridhjetë persona janë plagosur në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, pas përplasjeve të armatosura që shpërthyen gjatë protestave kundër Tarek Bitar, gjykatësi përgjegjës për hetimin e shpërthimit shkatërrues të 4 gushtit 2020 në portin e qytetit.

Në përleshje kishte edhe snajperistë dhe të shtëna me kallashnikovë, pistoleta dhe granata. Demonstrata, para gjykatës, u thirr nga grupi Hezbollah dhe aleatët e tij, të cilët kërkojnë largimin e gjyqtarit.

Nuk është e qartë se çfarë ka shkaktuar përplasjet me armë zjarri. Një reporter i “Associated Press”, pa një burrë që hapi zjarr me armë gjatë protestës dhe persona të armatosur që qëllonin mbi demonstruesit nga ballkoni i një ndërtese.

Hezbollah dhe Amal, dy partitë e armatosura libaneze, thonë se "snajperistët" e paidentifikuar ishin të parët që hapën zjarr mbi demonstruesit e të njëjtave lëvizje.

Në një deklaratë të përbashkët, Hezbollah dhe Amal denoncuan "agresionin" nga "grupet e armatosura të organizuara". Sipas dy partive shiite, pranë Iranit dhe qeverisë siriane, "agresioni synon të shtyjë me qëllim vendin drejt trazirave mbi baza fetare".

Sipas rindërtimit të përplasjeve të armatosura, të siguruara nga mediat e Hezbollahut dhe Amalit, "snajperistët shënjestruan kokat" e demonstruesve.

Gjithashtu, sipas Hezbollah dhe Amal, "ata ishin vendosur në ndërtesat përballë" rrethrrotullimit Tayoune, ose më saktë në ndërtesat në lagjen “Ayn Remmane”, një bastion i njohur i partive të krishtera, rivalë të dy lëvizjeve shiite, të ngritura në vend në rrethin Shiyah aty pranë.

Tarek Bitar, i cili është gjyqtari i dytë që drejton hetimin e ndërlikuar mbi tragjedinë në të cilën vdiqën afro dyqind njerëz, ka marrë kundërshtime të forta nga Hezbollahu dhe aleatët e tij, të cilët e akuzojnë atë se ka vënë në shënjestër kryesisht aleatë politikë të grupit të armatosur për marrjen në pyetje.

Deri më tani, asnjë zyrtar i Hezbollahut nuk është paditur në hetimin, i cili ka vazhduar për 14 muaj. Por tensioni është i lartë përgjatë vijës së parë të frontit të luftës civile, ai që e copëtoi vendin për 15 vjet deri në 1990, midis zonave myslimane shiite dhe zonave të krishtera.

Partia e krahut të djathtë, Forcat Libaneze, mobilizoi mbështetësit e saj të mërkurën mbrëma, pasi Hezbollahu dhe aleatët e tij protestuan në gjykatë, e cila ndodhet në një zonë të krishterë.

Videot që qarkullojnë në rrjetet sociale, tregojnë mbështetës të Forcave Libaneze që marshojnë nëpër rrugë, duke mbajtur kryqe të mëdha me vete.

Kryeministri, Najib Mikati, në një deklaratë, bëri thirrje për qetësi, duke apeluar për njerëzit që "të mos tërhiqen në një konflikt civil" dhe gjithashtu bëri thirrje për "arrestimin e përgjegjësve".

Vetëm një muaj më parë, Mikati arriti të formojë një qeveri të re, domethënë, pas më shumë se një viti vakum institucional: kryeministri i mëparshëm, Hassan Diab, dha dorëheqjen menjëherë pas shpërthimit shkatërrues më 4 gusht.

Tani, ekzekutivi i ri duhet të luftojë jo vetëm me një krizë shumë të rëndë ekonomike, por edhe me përkeqësimin e konfliktit midis grupeve etnike dhe fetare.

Joanna Wronecka, Koordinatore Speciale e Kombeve të Bashkuara për Libanin, shkroi në Twitter mbi shqetësimin e saj për incidentet e dhunshme të regjistruara këtë të enjte.

"Në këtë moment, është e nevojshme të tregohet përmbajtje maksimale, për të siguruar që qetësia të rikthehet dhe që qytetarët të mbrohen", - tha ajo.

Përshtati: Gazeta ‘Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë