Ka ndodhur

Kanosi efektivin me armë, dënohet me 5 vjet burg Orgest Bilbili

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 5 vjet burg Orgest Bilbilin, i shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje dhe kanosje për shkak të detyrës të punonjësit të policisë, lidhur me ngjarjen e 10 prillit të vitit që shkoi.

Thuajse para pak më shumë se një viti, me vendin nën izolim për shkak të pandemisë Covid 19, Bilbili u pikas nga një efektiv ndërsa po lëvizte në rrugë.

Ai nuk i është bindur thirrjes për të ndaluar dhe për t’i shpëtuar ndjekjes, ka kërcënuar me armë zjarri policin, por ky i fundit ka reaguar duke e plagosur në këmbë.

Ndërkohë për akuzat në lidhje me atentatet që kanë tronditur Lushnjën, Bilbili vazhdon të jetë nën hetim.

Ai po hetohet nga SPAK dhe po gjykohet në GJKKO për akuzën e grupit të strukturuar kriminal, bashkë me Anterio Kaloshin dhe Laert Haxhiun për të ashtuquajturën “masakra e Lushnjës”.

Policia është e bindur se Orges Bilbili është një nga tre autorët e dyshuar të disa vrasjeve që vitet e fundit kanë terrorizuar banorët e qytetit të Lushnjës.

Së bashku me Laert Haxhiun dhe Anterio Kaloshin, Orgesi dyshohet të jetë përfshirë në një seri vrasjesh, të ardhura si kundërpërgjigje ndaj krimeve të bandës së Lushnjës, që dikur drejtohej nga Alfred Shkurti.

Dyshohet se në “masakrën e Lushnjës”, Bilbili, Kaloshi dhe Haxhiu, synonin të vrisnin nipin e Aldo Bares, Xhulio Shkurti, por asokohe mbetën të vrarë, Jurgen Hoxha, Zamir Latifi, dhe u plagos pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë