Rend dhe Ligj

Kandidatja Memçaj sulmon Markun: Prokuroria akuzohet se mbron të fortët

Pas Arta Markut radha e përballjes përpara anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë i takonte kandidates Fatjona Memçaj. Kandidatja që synon postin e kryeprokurores dhe pse u shfaq e emocionuar përpara anëtarëve të KLP-së, ndoqi një strategji tjetër duke bërë një paraqitje të shkurtër të platformës që ajo mendonte se mund ta zbatonte nëse zgjidhet në këtë post, duke i lënë më shumë kohë pyetjeve që mund të kishin anëtarët e KLP-së.
Por në qëndrimet e saj, Memçaj nuk ngurroi që të sulmonte edhe situatën aktuale që gjendet organi i Akuzës, duke goditur kështu edhe prokuroren aktuale në detyrë, Arta Marku, njëherësh rivale. Ajo që në fillim u shpreh se Prokuroria duhet të jetë në nivelin e atyre prokurorive që duhet të t’i përgjigjet luftës transnacionale kundër krimit të organizuar.
“Mbi gjendjen e prokurorisë në rrethe, nuk e kam këtë informacion dhe as në sitin (faqen) e Prokurorisë nuk e gjeta. Është një detyrim ligjor që të jetë, është një detyrim kundrejt KLP dhe prokurorëve që janë në shkallën e parë. Kemi një prokurori me mungesa, unë vetë kam një mesatare me 400 çështje, ne përmbushim pothuajse se trefishin e një ngarkesë të tillë. Kjo nuk vjen se askush nuk e informoi KLP se shikoni se ka këto mangësi, nuk ka oficerë të policisë gjyqësore, por mbingarkesa mund të sjellëqë eficenca në punë do të cenohet”, deklaroi Memçaj.

Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi dhe kandidatja për postin e kryeprokruorit Memçaj para nisjes së seancës së intervistimit. Gazeta Si 13 nëntor 2019


Gjatë fjalës së saj, kandidatja për postin e kryeprokurores e vuri theksin te rëndësia që i zgjedhuri duhet të ketë lidership dhe dinjitet. “Për mua janë të rëndësishme, pasi autoritetin ta jep edhe vetë posti. Në vlerësimin tim Prokurori i Përgjithshëm duhet të jetë ai që demonstron lidership. Gjithmonë bëjmë një ngatërresë mes autoritetit dhe lidershipit. Është i bekuar ai që i ka të dyja. Unë them që autoriteti nuk është gjë e vështirë, sepse autoritetin ta jep funksioni, lidershipi është diçka e lindur që njeriu e ka forcuar me vite. Është ajo që nënkupton aftësinë për të marrë përgjegjësi, demonstrimin e ushtrimit të funksionit me integritet. Krijimin e respektit, krijimin e fryme bashkëpunimi. Sot prokurori nuk ka asnjë kompetencë. Atëherë si do ushtrohet funksioni kundrejt këtyre prokurorëve? Unë them me aftësi lidershipi dhe autoritet”, theksoi kandidatja Memçaj.
Ajo shtoi se vizioni i saj është zbatimi i synimeve që ka reforma në drejtësi. Një ndër këto është mundësia që prokurorët të marrin përgjegjësi në rastet kur drejtësia penale ka gabuar, ka gabuar edhe për qytetarin, duke shtuar se prokurorët nuk i kanë mbrojtur qytetarët dhe duke përmendur rastet e Gjykatës së Strasburgut dhe çështjet e tjera.

Kandidatja Memçaj duke folur para KLP-së

Vërejtjet ndaj kryeprokurores aktuale, Memçaj e paraqiti edhe ndaj çështjes së udhëzimeve të nxjerra në momentin kur pyet nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, Emmanuella Augerra, në emër të OPDAT dhe EURALIUS për gjetjen e mekanizmave për lehtësimin e bashkëpunimit mes prokurorëve dhe policisë gjyqësore. “Janë udhëzime të natyrës së përgjithshme që duhet të rregullojnë marrëdhëniet, mënyrën se si do të performohet në situatën e policisë gjyqësore. Pra në mënyrën se si do të disiplinohen edhe do të japin llogari. Kanë nevojë për rishikim dhe rregullime ligjore që të kryhen sipas ligjit të ri “Për policinë gjyqësore”, edhe mekanizmat e kontrollit që duhet të fuqizohen brenda prokurorëve. Duhet të ndërgjegjësohen prokurorët, se policia gjyqësore duhet të mbajë përgjegjësitë e veta për mënyrën e hetimit”, theksoi kandidatja. Gjithashtu ajo shtoi se Prokuroria po akuzohet se po mban anën e të fortëve. “Unë e kam frikë ligjin dhe ndaj e quan veten një prokuror i mirë dhe shkeljen e tij nuk ia lejoj vetes ta bëj, ndaj e kam ndërtuar karrierën mbi frikën mbi ligjin. Njerëzit që me njohin e dinë që s’kam frikë në detyrë sepse nuk do isha këtu. Ligjin e konsideroj të shenjtë, aq më shumë ku cenohen interesat dhe të drejtat e qytetarëve. Prokuroria shqiptare është sulmuar pjesërisht se nuk respekton të drejtat e njeriut, shikoni se favorizoni të fortët dhe sulmoni të dobëtit. Kjo praktikë për mua nuk duhet të ekzistojë më. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Do pranoja çdo penalitet nëse do ishte e nevojshme”, ka thënë Memçaj.
Nga anëtarja e KLP-së, Seiti, Memçaj u pyet për faktin se si e gjykon faktin se ajo u zgjodh si prokurore e Apelit në kundërshtim me ligjin, vite më parë, në një kohë kur pretendon se asnjëherë nuk ka vepruar në kundërshtim me ligjin. “Folët për shkelje ligji dhe kjo është në konceptin sesi ju si e keni parë këtë shkelje ligji që ju e pretendoni Për mua nuk ka pasur shkelje ligji. Kam konkurruar për vendin ku jam në KLP e kohës që ka qenë i përbërë nga prokurorë të të tri niveleve. Zotërinj me eksperiencë në detyrë dhe nuk janë nga ata që shkelin ligjin. Kam marrë 5 vota na 6 vota. Mbi këtë votim që është bërë në këtë votim ja propozuar nga prokurori i përgjithshëm i kohës tek presidenti, që në këshill ka pasur përfaqësuesin e vet.

Anëtarët e KLP-së që po marrin në intervistë tre kandidatët. Gazeta Si 13 nëntor 2019

Presidenti i Republikës ka dëgjuar të gjithë çfarë është diskutuar në Këshill dhe ka lëshuar një dekret për emërimin tim në detyrë. Shkak pse ka ekzistuar kjo gjë që ju thoni e keni dëgjuar dhe ndjekur janë shkaqe të tjera dhe s’kanë të bëjnë me ligjshmërinë e emërimit dhe me ligjshmërinë e atyre individëve që më kanë emëruar. Jam shumë ë sigurt që për hatrin tim as për profilin tim nuk do të kishin shkelur ligjin. Pra nuk ka pasur shkelje ligjore, por ka pasur interpretim të ligjit që thashë është bërë nga ana e këshillit dhe në vlerësimin tim e duhur dhe në vlerësimin e dikujt tjetër në mënyrën si ai e ka gjykuar”, theksoi Memçaj.
Anëtari Sheshi bëri të njëjtën pyetje siç i bëri kandidates Marku nëse do të ishte në presionin politik kur do të zgjidhet si prokurore. “Gjykoj se është një test që e kam kaluar. Kam qenë prokurori i parë kam kaluar vetting. S’kam pasur asnjë lloj kontestimi dhe pyetje. Nëse do të kisha ecur në karrierë me paligjshmëri edhe ndikimet politike nuk besoj se do të kisha kaluar nga Vettingu. Kam qenë prokurori i parë që u kalua me të njëjtën standarde me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. E para Vitore Tushaj, e kam kaluar”, theksoi kandidatja.
Gjithashtu pyetjes se nëse duhet të kryente përgjime ndaj anëtarëve të KLP-së apo vetë kryetarit të saj, Gent Ibrahimi, Memccaj u shpreh se në jetën e saj parimi kryesor është zbatimi i ligjit.

 

Më Shumë