Ne rrjet

Kandidati më popullor në Gjermani

Scholz është kandidat i SPD-së për kancelar që nga gushti i vitit 2020. Emërimi i tij nga kryetarët e partisë, Saskia Esken dhe Norbert Walter-Borjans 13 muaj para zgjedhjeve parlamentare ishte një surprizë e vërtetë. Nga njëra anë, sepse është e rrezikshme të qëndrosh për më shumë se një vit nën vëzhgimin e vazhdueshëm të publikut. Çdo gjë peshohet dhe vlerësohet. Çdo fjali ka kuptim, çdo gabim mund të ishte i fundit.

Emërimi qe befasues në rradhë të parë, sepse Scholz dhe dyshja Esken/Walter-Borjans kishin qenë konkurrentë të ashpër në luftën për kryesinë e SPD disa muaj më parë. Scholz, i cili është mjaft konservator për një socialdemokrat, humbi në fund të vitit 2019 kundër dyshes drejtuese me orientim të majtë. Tani SPD ka zgjedhur kandidat për kancelar njeriun, të cilin nuk deshi ta kishte si kryetar partie.

"Ne kemi gjetur një rrugë për të punuar së bashku shumë ngushtë, shumë emocionalisht dhe në harmoni", tha Scholz pas emërimit të tij. "Ne në fakt filluam të punojmë ngushtë me njëri-tjetrin menjëherë pas zgjedhjes së kryetarëve të SPD-së dhe krijuam një besim të ngushtë, kështu që në një moment pata ndjenjën se ata të dy do të më propozonin, edhe ata të dy e e kishin patur me kohë mendimin për të më propozuar".

Një fjali që tregon në mënyrë shembullore, se si Olaf Scholz vepron me krizat: Ngrihu, vazhdo përpara dhe mos dysho kurrë për veten. 63-vjeçari është i bekuar me një vetëbesim të patundur. Në karrierën e tij të gjatë politike, ai ka përjetuar mjaft tronditje, asnjëra prej tyre nuk ka mundur ta largojë atë nga rruga në plan afatgjatë.

Konkret dhe pragmatik – në kohë krize kjo pritet mirë

As skandali tatimor Cum-Ex dhe rasti i mashtrimit Wirecard. Në fakt Scholz nuk bëri figurë të mirë në komisionet hetimore parlamentare, por pasoja politike për të nuk pati. Kjo edhe për faktin se pandemia e Coronës prej më shumë se një viti ka lënë gjithçka tjetër në hije.

Pavarësisht se sa do të rritet borxhi, Gjermania mund të përballojë financiarisht pandeminë, kjo është motoja. "Ne do të shfrytëzojmë çdo mjet, që kemi në dispozicion dhe të sigurohemi që do të mund t'i kalojmë këto kohë të vështira me të gjitha mundësitë tona ekonomike dhe të kujdesemi të dalim nga situata." Nga qytetarët kjo pritet mirë. Në kohë krize kërkohet më shumë pragmatizmi se sa karizma. Kjo është diçka që Scholz nuk e ka. Të tregojë emocione, është e huaj për të. Edhe në momentet e gëzimit më të madh, ai shfaq përmbajtjen e një butleri britanik. 

Me sharmin e një makine

Për shumë vite atë e ndoqi nofka "Scholzomat", një lojë fjalësh e përbërë nga "Scholz" dhe "Automat". Gazeta e përjavshme "Die Zeit" e krijoi termin në 2003, sepse Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i SPD, Olaf Scholz, gjithmonë dukej si një makinë, kur shfaqej në publik. Kur e pyesnin Scholzin, ai përgjigjej vetëm me formula teknokratike, të cilat i përsëriste vazhdimisht.

Në atë kohë ishte fjala për reformën e diskutueshme të tregut të punës Agenda 2010, e cila solli shkurtime të rënda. Pati shumë rezistencë ndaj zbatimit të saj, edhe në SPD. Scholz thotë, se nuk ishte orientimi i tij, por për të qenë "absolutisht besnik" ndaj kancelarit, kreut të SPD Gerhard Schröder dhe SPD-së. Ai thotë se "ishte ndjerë me të vërtetë si oficer".

Në fund jo vetëm që përpjekja e shpëtimit shkoi huq, dhe si pasojë SPD humbi dhe postin e kancelarit e mori CDU, por Olaf Scholzit iu vesh edhe një imazh, të cilin ai nuk mundi ta heqë qafe për një kohë të gjatë: Që nga ajo kohë juristi shihej në publik si një burokrat i mërzitshëm, që prish humorin.

Ngjitje pa zhurmë dhe me efikasitet                  

As SPD nuk e pati kurrë të lehtë me pragmatistin introvert nga Hamburgu, i cili gjithmonë flet vetëm aq sa është absolutisht e nevojshme. Kur kandidonte për postet partiake, Scholz zakonisht merrte rezultatet më të këqija. Megjithatë ai arriti të ngjitet në shkallët e karrierës politike. Pa zhurmë dhe me efektivitet. Scholz ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i SPD, ministër i Punës, senator i brendshëm, dhe kryebashkiak i Hamburgut, para se të kalonte në kabinetin e Angela Merkel në 2018.

Edhe nëse Olaf Scholz llogaritet i krahut konservator, kategoritë politike si e djathta ose e majta duket se nuk mund të aplikohen në rastin e tij. Si nënkryetar i organizatës rinore SPD, Jusos, ai përfaqësonte teza radikale socialiste, kritike ndaj kapitalizmit.

Por mes anëtarësimit në SPD si nxënës shkolle në 1975 dhe zgjedhjes  së tij në Bundestag në 1998, Scholz mësoi shumë për mënyrën sesi funksionon biznesi dhe sipërmarrja e pavarur, duke punuar si avokat i specializuar për ligjin e punës në firmën e tij në Hamburg. Kjo e formësoi atë.

Pak show duhet të jetë

Tani vonë Olaf Scholz ka mësuar se në politikë ka rëndësi të vësh veten dhe mesazhin tënd në qendër të vëmendjes dhe ta shesësh mirë. Ai tani duket më emocional, më i afërt dhe, mbi të gjitha, më miqësor.

Kjo ka sjellë rezultate. Në sondazhe tani ai është më i pëlqyeri nga të tre kandidatët për kancelar. Ai është në epërsi përballë Armin Laschet, i cili kandidon për CDU / CSU dhe kandidates të të Gjelbërve, Annalena Baerbock.

Sidoqoftë më 26 shtator 2021 zgjidhen partitë dhe jo personat. Për një kohë të gjatë SPD qendronte në vendin e tretë pas Unionit dhe të Gjelbërve në sondazhe. "Kush dëshiron, që unë të bëhem kancelar, duhet të votojë SPD", thotë Olaf Scholz. Kjo me sa duket ka patur efekt. Javët e fundit SPD ka arritur përparime të konsiderueshme në sondazhe, duke kapërcyer fillimisht të Gjelbrit dhe tani edhe Unionin./dw/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë