Libra

Kampioni Lilian Turam promovon në Tiranë librin ‘Mendimi i Bardhë’, i përkthyer në shqip

Gazeta Si – Ish-kampioni i botës me Francën në 1998-ën, Lilian Turam, ndodhet në Tiranë këto ditë. Jo për futbollin, por për promovimin e librit ‘Mendimi i Bardhë’, i përkthyer në gjuhën shqipe. Ish-futbollisti i shquar prej kohësh ka nisur të shkruajë libra, ndërkohë që njihet edhe si një nga zërat më të fuqishëm kundër racizmit.

Thuram është pritur në një takim nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. “Jam në Tiranë për të prezantuar librin tim, i cili është përkthyer në shqip. Shpresoj të ndryshojë mendësinë e njerëzve. Ndonjëherë njerëzit kanë paragjykime dhe nuk e kuptojnë se nga vijnë, por unë besoj se është gjithmonë e nevojshme ta njohim historinë, që të ecim përpara”, - u shpreh francezi.

Të gjithë e kujtojnë me uniformën sportive të Parmës, Juventusit dhe Francës, por Turam ka një pasion të madh edhe për librin.

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme të kemi në Tiranë një kampion si Lilian Turam. Libri i tij “Mendimi i bardhë” është vërtet një nga dhuratat më të bukura që na vjen, në kontribut me Ambasadën Franceze.

Mezi pres që të inkurajosh djemtë dhe vajzat tona për të kuptuar që sporti është patjetër i dobishëm për një shëndet dhe për një fizik të shëndoshë, po është mbi të gjitha për mentalitetin fitues dhe për një lojë në skuadër, për të cilën kemi shumë nevojë sot. Të falenderoj shumë, sidomos në kontekstin ku në Europë po diskutohet shumë dhe ka një frymë të ksenofobisë dhe të racizmit”, - tha Veliaj gjatë takimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë