Futboll

Kampionati nis më 21 tetor, pritet vetëm konfirmimi zyrtar

Superiorja, me shumë gjasa, do të nisë më 21 tetor, pritet vetëm konfirmimi zyrtar. Në takimin e saj të fundit, Liga Profesioniste e Futbollit nuk dha indicie në fakt, thjesht përsëriti qëndrimin e saj fillestar se nuk ka futboll pa plotësimin e katër kërkesave nga ana e qeverisë. Në këtë takim mungonte presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili ishte me Kombëtaren në Kazakistan dhe Lituani, dhe vendimi final nuk ishte aq i lehtë.

Ka pasur diskutime, sepse nga disa drejtues të klubeve të Superiores është kërkuar t’i jepet drejtim situatës me nisjen e kampionatit, pastaj plotësimi i katër kërkesave nga qeveria të kërkohet në rrugë të tjera. Gazeta Si mëson se janë të paktën 4 klube (mes tyre Kukësi i deklaruar publikisht nga presidenti Gjici), që në këtë moment janë kundër vazhdimit të bojkotit, pavarësisht se mbështesin fort 4 kërkesat, ashtu si në fillim. Pikërisht nga këto katër klube është përmendur data 21 tetor për nisjen e ndeshjeve zyrtare.

Nga një mbledhje e Ligës Profesioniste. Gazeta Si, 15 tetor 2020

Fakt është se java e ardhshme është ndoshta limiti kohor për zhvillimin e një kampionati normal. Nëse kalon edhe java e ardhshme pa kampionat, atëherë ngjeshja e ndeshjeve do të bëhej e papërballueshme. Një arsye tjetër pse drejtuesit e disa klubeve kërkojnë nisjen e ndeshjeve është se ata duhet t’i paguajnë futbollistët sipas kontratës që kanë firmosur, ndërkohë që ata nuk po luajnë. Edhe për vetë futbollistët situata aktuale është bërë e mërzitshme, vetëm me stërvitje dhe pa ndeshje.

Zërat kundër bojkotit po shtohen dhe shumë shpejt mund të vijë vendimi zyrtar për nisjen e Superiores më 21 tetor, të mërkurën e ardhshme. Pastaj, për ështjen e katërt kërkesave mbetet të shihet se çfarë rruge do të ndiqet nga Liga Profesioniste dhe klubet e Superiores.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë