Sport

Kampionati kombëtar i shtangës, Briken Çalja triumfon sërish

Në ambientet e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë është zhvilluar kampionati kombëtar i peshëngritjes. Edhe këtë edicion të 70-të të tij, ky kampionat ka treguar rivalitet të kënaqshëm në të gjitha peshat. Eventi përveç rëndësisë së tij, mbart një peshë tjetër specifike, pasi zhvillohet në prag të kampionatit botëror të peshëngritjes që zhvillohet në Ashgabat të Turkmenistanit.

Këtë edicion nuk kishim mungesa të peshëngritësve elitarë që u vunë në garë me njëri-tjetrin për të fituar titullin e kampionit kombëtar, duke u përgatitur kështu në mënyrën më të mirë të mundshme për garën botërore vetëm 2 muaj më vonë. Tre herë kampioni i Europës, Briken Çalja, Erkand Qerimaj, Daniel Godelli e shumë sportistë të tjerë u vunë në garë për të provuar vetën dhe të tentonin titullin në këtë edicion të 70-të.

Daniel Godelli

Por ende pa filluar gara sportisti shkodran, Erkand Qerimaj u tërhoq, duke mos tentuar të ngrejë në asnjë kategori. Ndryshe ka shkuar kjo garë për shtangistët e tjerë pretendent në këtë kampionat, si Godelli dhe Çalja që fituan në peshat e tyre respektive.

Erkand Qerimaj

Daniel Godelli edhe pse garoi në peshën deri në 81 kg nuk ishte në formën e tij më të mirë. Sakaq peshëngritësi nga Shtërmeni, që është aktualisht kampion i trefishtë në Europë, Briken Çalja ka treguar edhe një herë se është në kulimin e karrierës së tij duke u shpallur kampion në peshën 73 kg. Njëkohësisht Çallja u vlerësua edhe si sportisti më i mirë i këtij eventi nga ana e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Çalja ngriti në dygarësh 325 kg, duke çuar lart 148 kg në shkëputje, ndërsa në shtytje 177kg.

Sakaq për femra, sportistja më e mirë u shpall veterania 44-vjeçare, Shiponja Brahja, e cila ngriti 252 kg në total.

Shqiponja Brahja

Performancë pozitive në këtë kampionat zhvilluan edhe sportistët e tjerë premtues, si Romaro Avdiraj në peshën 61 kg dhe Edison Nelo për kategorinë 67 kg. Në rang ekipor, vendin e parë në këtë turne zuri ai i Tiranës, duke grumbulluar 394 pikë. Pas ekipit kryeqytetas u renditën Teuta e Durrësit, me 252 pikë dhe Elbasani me vendin e tretë me 214 pikë.

Ky ishte kampionati i parë kombëtar i peshëngritjes, që organizohet, pas zgjedhjeve për presidentin e ri të kësaj federate, Theodhor Masllavica, për të cilin ky kampionat ishte një test për eventin botëror në Turkmenistan. Vlen të theksohet se ky kampionat kombëtar i peshëngritjes u zhvillua nën masa të rrepta anti-doping. Para çdo gare, peshëngritësit zhvilluan testin kundër substancave të ndaluara. Mësohet se një procedurë e tillë strikte do të aplikohet për të gjithë sportistët shqiptarë që do të shkojnë në kampionatin botëror, për të shmangur çdo të rast dopingu, siç ka ndodhur disa herë edhe më herët.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë