Futboll

Kampion me Dinamon, historia shqiptare e ukrainasit Sergei Romanishin

Fatjon Rupi - “Nuk di anglisht vllai, ça më duhet anglishtja? Di shqip, me shqipen çan kudo në botë…” Sergei Romanishin e fillon me një batutë bisedën me Gazeta Si për historinë e tij shqiptare, që nis në vitin 2001. Vinte nga Rusia, i sugjeruan të luante për Dinamon e Tiranës dhe ai pranoi. U shpall kampion që në sezonin e parë (2001-2002) në futbollin shqiptar, ku më pas veshi edhe fanellat e Vllaznisë, Shkumbinit dhe Skënderbeut.

“Një punonjës në Federatën e Ukrainës më tha, nëse doja të luaja në Shqipëri, me Dinamon. Erdhëm disa lojtarë nga Ukraina, por qëndrova vetëm unë. Kanë kaluar shumë vite, por e kujtoj gjithmonë atë kampionat, kishim një skuadër shumë të fortë dhe një trajner ekspert si Faruk Sejdini”, - rrëfen Romanishin. Ai nuk ishte thjesht një kalimtar në futbollin shqiptar, disa vite më parë kishte luajtur te Shpresat e Ukrainës me një farë… Andrij Shevçenko.

Dinamo para një ndeshjeje në "Qemal Stafa". Lart nga e majta: Pinari, Ahmataj, D.Xhafaj, Gallo, Jupi, I.Lika. Poshtë nga e majta: Romanishin, Pisha, F.Xahafa, Asllani, Dhëmbi

Ylli i Milanit më pas do të fitonte “Topin e Artë”, kurse Sergei fitonte titullin në Shqipëri. Fati ishte shkruar kështu dhe kënaqësitë që të fal futbolli mund t’i përjetosh në çdo mënyrë dhe kudo. Romanishin u bë një lojtar kyç në formacionin e Dinamos, që sezonin 2001-2002 kishte një nga skuadrat më të mira të pas viteve ’90. Fitoi titullin dhe prodhonte një futboll mjaft të bukur, spektakolar dhe rezultativ.

Presidenti i atëhershëm, Besnik Sulaj, afroi disa elementë të ekipit Shpresa të Shqipërisë, por edhe disa lojtarë me përvojë. Emrat flasin vetë: Ilion Lika në portë, Ajan Pisha, Luan Pinari dhe Alpin Gallo në mbrojtjen me 3 të “Xhaxhit”, Julian Ahmataj dhe Paulin Dhëmbi në krahë, Sergei Romanishin para mbrojtjes, kapiteni Redi Jupi para tij, Klodian Asllani pas sulmuesve Fjodor Xhafa dhe Daniel Xhafaj, apo edhe Ligor Tikos dhe Ilir Qorrit. Edhe në stol mjaft alternativa, Albert Duro, Rigels Qosa, Ergert Bakalli, Stavrion Lako dhe disa të rinj.

https://youtu.be/ncGX7qgpwEo
Kur Dinamo shpallej kampione në Shkodër në vitin 2002. Gazeta Si, 17 janar 2021

Në këtë “orkestër” gati perfekte të dirigjuar nga Faruk Sejdini, - i cili mori drejtimin e skuadrës pas Astrit Hafizit, - Agim Canaj dhe Ilir Bozhiqi, Sergei Romanishin kishte një rol të rëndësishëm. “Kishim një skuadër shumë të fortë, me shumë lojtarë të mirë, por mbi të gjitha një trajner shumë të mirë. Kjo është e rëndësishme, sepse mund të kesh lojtarë të mirë, por nëse nuk ke trajnerin e duhur, nuk arrin asgjë. “Xhaxhi” na stërviste fort. Unë isha stërvitur në Ukrainë edhe më fort ndoshta, por e mabj mend shumë mirë që stërvitja që bënim na bënte më të fortë”, - vazhdon ukrainasi.

Romanishin, i cili prej dy vitesh jeton në Kanada, në atë kohë u shqiptarizua shumë shpejt: “Nuk pata probleme sa i takon përshtatjes, ushqimi ishte gati i njëjtë, kurse gjuha shumë e vështirë, por fillova ta mësoja. Fjalët e para? Dihet çfarë fjalësh mësohen të parat në një gjuhë të huaj. Ajo që dua të theksoj është se të gjithë më kanë respektuar dhe jam ndjerë shumë mirë, që nga shokët e skuadrës, stafi, drejtuesit, tifozët, edhe kundërshtarët.

Mund të luanim fort në një ndeshje, për shembull më takoi në një rast të markoja Indrit Fortuzin dhe në fushë u përplasëm shpesh, por pastaj jashtë fushe kemi pirë kafe. Kishim respekt për njëri-tjetrin. Në atë kohë ishin disa skuadra të forta, 3-4 që luftonin për titullin, përveç nesh ishte Tirana, Vllaznia dhe ndonjë ekip tjetër. Klubet paguanin mirë. Gara e fortë e bënte edhe më të bukur kampionatin, ky është qëllimi i futbollit, sepse kur ke një skuadër të fortë dhe asnjë rival, por fiton nga 6-0 çdo ndeshje, nuk është se të shijon shumë suksesi. Titutllin e fituam pas fitores në Shkodër javën e fundit”.

Romanishin në faqen e parë të gazetës "Sporti Shqiptar". Gazeta Si, 17 janar 2021

Si e kujton Romanishin Tiranën në atë kohë? Si shumica e të huajve që vijnë në Shqipëri: “Çfarë më bënte përshtypje në fillim? Nuk më kujtohen shumë detaje, por gjëja e parë që të binte në sy ishin kafet plot me njerëz, me njerëz që nuk punonin. Kjo të bëntë përshtypje në Tiranë”, - pohon Romanishin. Ai jetonte në hotelin e klubit dhe paratë që merrte sipas kontratës i linte në shtëpinë e njërit prej shokëve të skuadrës për më shumë siguri. “Po, është e vërtetë, paratë i lija te shtëpia e Pinarit, që banonte aty pranë. Për më shumë siguri”.

Pas fitimit të titullit kampion nga Dinamo, ku mesfushori ishte protagonist, shtypi sportiv i kohës e ka vlerësuar maksimalisht. Gazeta “Sport Ekspres” e përzgjodhi në formacionin më të mirë të sezonit, ku sigurisht dominonin dinamovitët. Sergei i ruan ende fotot e shkrimeve në gazetat shqiptare dhe vlerësimet që i janë bërë. ”Janë kujtime shumë të bukura”, - thekson ai.

Certifikata e gazetës "Sport Ekspres" për Romanishin, i përzgjedhur në formacionin më të mirë të sezonit. Gazeta Si, 17 janar 2021

I ngacmuar më tej për disa fusha të ashpra që futbolli shqiptar kishte në atë kohë, ukrainasi thotë: “Dëgjo, e di si është puna? Nëse dikush hedh gurë në një fushë, do të thotë që ka një problem në trurin e tij. Nuk ka lidhje fakti se ai është nga Peqini, nga Berati apo nga ndonjë qytet tjetër. Unë kam luajtur në Peqin, janë njerëz shumë të mirë, të respektojnë dhe e duan me shpirt futbollin. E njëjta gjë ishte edhe në qytetet të tjera”.

Sergei Romanishin vazhdon të ketë komunikim me të gjithë ish-lojtarët e Dinamos së tij dhe disa skuadrave të tjera. Pak ditë më parë kishte ditëlindjen dhe falënderimin për njerëzit që e kishin uruar e ka bërë në dy gjuhë, ukrainase dhe shqipe. Në fund të bisedës me Gazeta Si, Romanishin shprehet:

“Kam diçka që dua ta theksoj: Respekt për “Xhaxhin” (ish-trajnerin Faruk Sejdini), respekt për ata çuna të Dinamos, respekt për tifozët e Dinamos dhe respekt për të gjithë shqiptarët!”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë