Politike

Kampet e refugjatëve, Shqipëria e Maqedonia…në mendjen e Tajanit

Kryeministri Edi Rama e quajti të rremë lajmin e përhapur në media, jo vetëm ato shqiptare, sipas të cilit Shqipëria konsiderohet si një vend kandidat potencial për të ngritur kampet e refugjatëve që do të dëbojnë vendet e Bashkimit Europian pas refuzimit të kërkesave të azilit.

Por, duker se sa më shumë shtohen zërat brenda Qeverisë që e mohojnë këtë fakt, aq më të zëshëm bëhen ata në Bruksel që e përforcojnë këtë, megjithëse theksohet se nuk ka asnjë vendim konkret.

Këshilli Europian tha për rrjetin BIRN se nuk ka plane konkrete për ngritjen e qendrave të azilit në Shqipëri. Sipas Këshillit, rajonet që do t’i shërbejnë këtij synimi nuk janë identifikuar ende dhe se aktualisht po diskutohet thjesht mundësia e eksplorimit të konceptit.

Presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani deklaron se bllokut i nevojiten kampe refugjatësh jashtë kufijve të tij, por shton se qendra të tilla i përfytyron në Shqipëri apo Maqedoninë Veriore.

Shqipëria përmendet edhe në korridoret e Vjenës. Zëdhënësi i Qeverisë, Peter Launsky-Tieffenthal konfirmoi se po bisedohet mes vendeve anëtare, jo në kuadër të Brukselit dhe se mes vendeve kandidate për të ngritur një qendër të tillë është edhe Shqipëria.

Arsyeja pse është menduar Shqipëria gjendet tek fakti që porti i Durrësit konsiderohet nga vendet propozuese se zotëron kapacitete të mjaftueshme për zbarkimin e kontigjenteve të mëdha të refugjatëve.

I gjithë diskutimi për refugjatët bëhet para 28 qershorit, kur Këshilli Europian do të mblidhet për të diskutuar një sërë çështjes dhe për të marrë vendimin e hapjes ose jo të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Kjo ka bërë që zërat që flasin për një miksim mes këtyre dy temave të diskutimit. Në media është përfolur se vende të caktuara kanë vënë kusht kampet e refugjatëve për hapjen e negociatave me Shqipërinë, ndërsa opozita në Tiranë akuzon drejtpërdrejtë Kryeministrin Edi Rama se u është vetëofruar këtyre vendeve për të strehuar 600 mijë refugjatë sirianë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë