Lajme

Kamera, “shtegu” i hakerave tek telefonat Android

Një “shteg” i lënë hapur nga Google u mundëson hakerave që të marrin nën kontroll kamerat dhe mikrofonin e përdoruesve të telefonave me sistem operimi “Android”.

Zbulimi është bërë nga “Checkmarx” një forum ekspertësh dhe të apasionuarish pas teknologjisë, që thonë se për këtë kanë vënë në dijeni edhe kompaninë amerikane.

Ekspertët thonë se “shtegu” është gjetur tek aplikacioni i kamerave, që është vulnerabël tek përdoruesit që kanë Android 9, versioni i fundit i këtij sistemi.

Google ka reaguar menjëherë. Një zëdhënës i kompanisë ka falenderuar “Checkmarx” për sinjalizimin, por deklaroi se problemi është zgjidhur që prej muajit korrik të këtij vitit.

Megjithatë, në shumë pajisje, sipas Google, përditësimi i nivelit të sigurisë për sistemin Android 9 nuk ka mbërritur ende. Vështirësitë, thotë kompania amerikane, lidhen kryesisht me vështirësitë që has ky proces në disa pajisje.

Google këmbëngul se me përditësimin e fundit, “shtegu” kërcënues për privatësinë e përdoruesve të Android 9 është i mbyllur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë