Bota

Kalojnë kufirin Marok-Algjeri me motorë uji, vriten dy turistët nga rojet bregdetare

Gazeta Si – Dy qytetarë franko-marokenë janë vrarë me armë zjarri nga rojet bregdetare algjeriane të kufirit, pasi kishin kaluar kufirin me motorë uji. Kufiri mes Marokut dhe Algjerisë është i mbyllur prej vitesh.

Kalimi i kufirit detar mes Marokut dhe Algjerisë rezultoi fatal për dy turistë. Bilal Kissi dhe Abdelali Merchouer janë vrarë nga rojet e kufirit algjeriane, pranë brigjeve Saidia. Ata pa e kuptuar kishin kaluar kufirin me motorë uji. Bëhet fjalë për dy qytetarë franko-marokenë, ndërsa qeveria e Rabatit nuk ka dashur ta komentojë ngjarjen.

Për shkak të interesave divergjente dhe kontestimeve për Saharanë perëndimore, në gusht të 2021-shit Algjeria i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Marokun. Kufiri mes dy vendeve është mbyllur që në vitin 1994 për arsye sigurie.

Lajmi për vrasjen e dy turistëve është bërë i ditur nga disa media marokene, sipas të cilave ngjarja ka ndodhur më 29 gusht. Qytetarët ishin pjesë e një grupi prej katër personash me të njëjtën kombësi. Ata ishin nisur me motor uji nga brigjet e Saidia, që ndodhet pikërisht në kufirin algjerian.

Sapo kaluan kufirin, dy persona u vranë nga ushtarët algjerianë, një tjetër pjesëtar, Smail Snabe, është arrestuar, kurse Mohamed Kissi (vëllai i Bilal Kissi, një nga viktimat) ia doli të kthehet në Marok, ku ka rrëfyer ngjarjen.

Sipas Mohamed Kissi, në një moment ata kishin humbur dhe motorëve u kishte mbaruar karburanti. E kuptuan që kishin kaluar kufirin vetëm kur panë gomonen e rojeve kufitare algjeriane, nga e cila filluan të shtënat. Algjeria dhe Maroku ndajnë një kufi prej më shumë se 2 mijë kilometrash, që gjithmonë ka qenë shkak për tension mes dy vendeve. Prej dy vitesh këta dy vende nuk kanë as marrëdhënie diplomatike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë