Lajme

Kallëzimi për 30 qershorin, PD letër kryeprokurores Marku dhe Gloverit

Partia Demokratike ka hedhur hapin e radhës atë bërjes së kallëzimit penal për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Por për opozitën prokuroria nuk ka ndërmarrë deri më tani asnjë veprim konkret. Nëpërmjet një letre të depozituar pranë organit të Akuzës nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi i kërkohet kryeprokurores Arta Marku që të mos pengojë hetimet për krimet elektorale të 30 qershorit. Demorkratët kanë kallëzuar në prokurori anëtarët e KQZ, komisionerët e PS dhe zyrtarë të lartë për krimet e kryera para, gjatë dhe pas 30 Qershorit
“Partia Demokratike i kërkoi Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, të mos pengojë hetimet për krimet zgjedhore duke i shërbyer axhendës së saj personale për t’u emëruar Kryeprokurore dhe regjimit kriminal të Edi Ramës. Nëpërmjet një letre të datës 12 Korrik, për të cilën është vënë në dijeni edhe shefja e Misionit të ODIHR, Audrey Glover, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, vë në dukje se organi i akuzës në Republikën e Shqipërisë, jo vetëm nuk po heton seriozisht dosjet e vjetra 184/2016 dhe 339/2017, por nuk ka nisur asnjë hetim për asnjë prej shkeljeve të rënda ligjore që u konstatuan gjatë procesit antikushtetues të 30 Qershorit”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së.

Letra e Bardhit dërguar kryeprokurores Art Marku


Letra e numrit 2 të PD-së shpreh hapur mosbesimin e opozitës për kryeprokuroren Marku, për shkak të zgjedhjes së saj antikushtetuese nga qeveria e Edi Ramës.
“Që prej emërimit tuaj antikushtetues si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme, kontrolli i qeverisë mbi prokurorinë është çimentuar, duke sjellë, njëkohësisht, çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. Gjatë drejtimit tuaj, asnjë zyrtar i lartë i qeverisë, asnjë politikan, asnjë funksionar i lartë publik nuk ka dalë para drejtësisë për krimin e korrupsionit apo të krimeve zgjedhore, megjithëse denoncimet publike kanë qenë me qindra”,- thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.
Duke akuzuar Markun se është bërë mburojë politike për krimet e qeverisë edhe me votimet e paligjshme dhe antikushtetuese të 30 Qershorit, PD rendit të gjitha shkeljet e ligjit, të vëna në dukje prej saj, nga media, misioni ODIHR-it para, gjatë dhe pas 30 Qershorit, si presioni ndaj punonjësve të administratës shtetërore, blerja e votave, mbushja e kutive të votimit, shkelja e ligjit dhe e Kushtetutës nga 4 anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Të vetmit që nuk dëgjojnë dhe nuk shikojnë asgjë nga krimet e mësipërme janë prokurorët e Republikës, që duhet të ishin në krye të detyrës për të mbrojtur Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, - thuhet në letrën e Partisë Demokratike.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, me në të kësaj letre njerrë atë që pretendon opozita mosveprimet e prokurorisë për dosjet e krimeve zgjedhore dhe pasojat për vendin. “Mosveprimi i prokurorisë për krimet zgjedhore të partisë në pushtet është i përsëritur. Ai ka prodhuar pasoja të rënda për demokracinë, duke kaluar nga një masakër elektorale tek një tjetër. Në dijeninë tonë, deri tani, prokuroria nuk ka guxuar as të marrë në pyetje personat kryesorë të përfshirë në dosjet penale të krimeve elektorale të viteve 2016 apo 2017, si Edi Rama, Damian Gjiknuri, Ulsi Manja, Pjerin Ndreu, etj”,- thuhet në letër.
Moszbatimi i dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve, regjistrimi i Bindjes Demokratike në kundërshtim me ligjin, manipulimi dhe mashtrimi i të dhënave për numrin e pjesëmarrësjes në votime, fletët kontrabandë dhe emërimi i në fshehtësi janë disa nga pikat që për opozitën rrëzojnë zgjedhjet e 30 qershorit.

Kuti votimi më 30 qershor


Të gjitha këto indicie janë të shpjeguara me detaje për shkeljet ligjore të konsumuara gjatë, para dhe pas 30 Qershorit sipas PD-së, përfshijnë 9 vepra penale dhe të gjitha bashkë dënohen nga 31-45 vjet burg. Në të futen veprat e “Shpërdorimit të detyrës; Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve; Shkelja e fshehtësisë së votimit; Votimi më shumë se 1 herë ose pa u identifikuar; Korrupsioni aktiv në zgjedhje; Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore; Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje dhe Marrja ose përdorimi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit”.
Në letrën e tij Bardhi e identifikon Markun si një mekanizëm frike që përdoret nga pushteti kundër prokurorëve për të mos hetuar krimet zgjedhore dhe krimet e tjera të qeverisë Rama. “Ju, jeni provuar në mënyrë të vijueshme, si zyrtari publik që, për llogari të pushtetit të shefit tuaj politik, Edi Rama, ushtroni presion të paligjshëm nëpërmjet transferimeve të paligjshme, vlerësimeve negative profesionale për efekt të vettingut, inspektimeve disiplinore etj. në mënyrë që prokurorët t’i binden urdhrave dhe porosive të paligjshme.”-vëren në letër Bardhi.
Opozita në këtë letër ka vënë në dijeni edhe shefin e Misionit të ODIHR-it, ku PD i kërkon kryeprokurores që t’i shërbejë interesit publik dhe axhendës europiane të vendit përpara axhendës së saj personale, duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë së atyre që kanë shkatërruar zgjedhjet.
“Është koha që ambicia juaj për t’u emëruar Prokurore e Përgjithshme me ndihmën e Edi Ramës të mos pengojë hetimin e krimeve zgjedhore të partisë në pushtet, të korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës dhe të krimit të organizuar me lidhje qeveritare.”- mbyllet letra e numrit dy të PD-së.

7 pikat kyçe që rrëzojnë 30 qershorin sipas PD-së

Moszbatimi i dekreteve të Presidentit me pasojë cenimin e të drejtës kushtetuese të qytetarëve për të zgjedhur.
Regjistrimi i Bindjes Demokratike në kundërshtim me ligjin.
Cenimi i të drejtës së opozitës për të marrë pjesë në administrimin e zgjedhjeve
Mashtrimi dhe manipulimi me të dhënat e pjesëmarrjes në votimet e 30 Qershorit.
Fletët e votimi “kontrabandë” për votimet në Bashkinë e Vaut të Dejës.
Emërimi i komisionerëve në kundërshtim me ligjin nga ana e KQZ.
Krimet zgjedhore në të gjithë territorin: blerja e votave, fshehtësia e votës, presioni në administratë etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë