Lajme

Kalim të paligjshëm të kufirit, arrestohet 44-vjeçari nga Korça

Është parandaluar një tjetër rast i tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt parave.
Në kuadër edhe të operacionit FRONTEX, policia ka arrestuar në flagrancë 1 shtetas, ka shpallur në kërkim 1 tjetër dhe ka proceduar 1 në gjendje të lirë.
Siç njofton policia, si rezultat i kontrollit të brezit të gjelbër, në fushat e fshatit Bularat, Dropull është vënë në pranga shtetasi R. G. 44 vjeç, banues në fshatin Veliten, Maliq, i cili ishte duke pritur disa shtetas sirianë për t'i transportuar në drejtim të Tiranës.
44-vjeçari bashkëpunonte me dy shtetas të tjerë për të transportuar shtetasit sirianë në drejtim të Tiranës, kundrejt shumës 200 euro për secilin.
Ndërkohë është shpallur në kërkim shtetasi E. B., banues në Durrës si dhe është proceduar në gjendje të lirë shtetasi L. L., banues në fshatin Veliten, Maliq.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, e kryer në bashkëpunim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë