Ka ndodhur

Kakavija mbyllet për 24 orë nga nesër, pala greke në grevë

Kakavija mbyllet për 24 orë (nga data 17 shkurt deri më 18) dhe pala greke do të dalë në grevë nga nesër në orën 07:00 deri pasnesër në orën 07:00.

“Autoritetet e Policisë greke, në bazë të një njoftimi zyrtar që i kanë dërguar Policisë Kufitare Kakavije, sqarojnë se për shkak të grevës që do të zhvillohet nga punonjësit e doganës greke, do të ketë një ndërprerje të punës, duke filluar nga dita e nesërme, datë 17 shkurt, ora lokale greke 07:00 deri në orën 07:00 të datës 18 shkurt”, thuhet në njoftim.

Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër thotë se gjatë këtij harku kohor, si në hyrje dhe në dalje të doganës greke, nuk do të lejohet kalimi i automjeteve si motoçikleta, autovetura, fugonë që transportojnë qytetarë dhe kamionët që transportojnë mallra.

Përjashtim do të ketë vetëm për udhëtarët këmbësorë, kamionët që transportojnë mallra ushqimore që ruhen në kushte frigoriferike, kamionët që transportojnë kafshët e gjalla, medikamente dhe automjetet për raste emergjente.

Ndër të tjera, Policia Kufitare e Kakavijës iu bën thirrje të gjithë qytetarëve që duan të udhëtojnë drejt Greqisë, që gjatë këtij harku kohor, të shmangin udhëtimin në drejtim të kësaj pike kalimi.

Pika Kufitare e Kapshticës vijon të  jetë  e mbyllur deri më 22 shkurt.

Prej nëntorit kalimi në këtë pikë që lidh Greqinë me Shqipërinë qëndron e mbyllur, teksa lejohen vetëm daljet nga Greqia në drejtim të Shqipërisë vetëm për këmbësorët dhe kamionët e mallrave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë