Politike

Kajmaku nxjerr pasaportën me vulë: Mua s’më bëjnë Babale

Agim Kajmaku, kryebashkiaku i Vorës i vënë në shenjëstër nga PD-ja, duke e akuzuar si një person që ka kryer vepër penale në Greqi, e më pas ka ndërruar emrin Jorgo Toto, reagoi pas atyre fakteve të reja të nxjerra nga ana e opozitës.
Kryebashkiaku i Vorës me anë të një postimi në Facebook, u mbrojt duke nxjerrë një pasaportë ku fakton se ka kaluar shtetin fqinj, me vulë nga Dogana e Kakavijës. Ky udhëtim i ndodhur përpara se shpallej si kandidat për kryetar bashkie për Vorën.
"Tellalli i PD-së u mor me mua prapë sot, po s'ka problem se e vërteta vonon po nuk harron. Unë paskam urdhër-arresti në Greqi dhe hykam e dilkam sa herë dua! Ja ku e kam që kam hyrë e kam dale nga Greqia para se të dilte emri kandidat. E verteta ime do të vërtetohet siç e kam thënë, po jo nga limoni i shtrydhur i PD po nga autoritetet. Unë s'jam arrestuar dhe s'jam dënuar në Greqi, po kam bërë pune me emër tjetër si gjithë shqiptarët. Po të isha në kerkim s'do hyja dhe dilja sipas qefit!", shkruan Kajmaku.

https://www.facebook.com/Agim.Kajmaku/photos/a.419153618635827/469749370242918/?type=3&theater


Ndërsa paralajmëron PD-në se nuk do të jetë ai "Babalja" i radhës, kauza që opozita mund të gjejë në beteja e ardhshme të saj. "Prandaj le të hyjë Luli dhe le të dali Gaz Bardhi sa të dojë duke i ra fyllit me një vrimë, se rëndësi ka e vërteta. E vërteta është me mua dhe unë jam me të vërtetën! Shumë shpejt do gjejnë një Babale tjetër, se babale mua s’më bëjnë dot", theksoi Kajmaku.
Por nuk vonoi reagimi i menjëhershëm i PD-së, ku numri dy i kësaj partie, po nëpërmjet rrjeteve sociale, i shtroi një pyetje kryebashiakut të vënë nën akuzë. "Jorgo Toto i Vorës po tenton t’i bëjë shqiptarët për budallenj. Tregon pasaportën e Agim Kajmakut, në vend që të tregojë pasaportën e Jorgo Totos, emër me të cilin është arrestuar dhe është në kërkim në Greqi. Si Agim Kajmaku ke hyrë dhe mund të hysh prapë në Greqi! Pyetja është, si Jorgo Toto a hyn dot? Jorgo Toto me foton në TIMS dhe me pasaportën nr. Z 0148497 a je ti? Që e vërteta do të dalë, për këtë nuk ka asnjë pikë dyshimi! Që ti do të shkosh në burg, edhe këtë mos e dysho! Të ka gënjyer Edi Rama, kur të ka thënë se do të të mbrojë Arta Marku. Më beso! Nuk të ndihmon dot as ajo!", shkruan Bardhi.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10219850785209751&set=a.10200252705390004&type=3&theater

Prej më shumë se tre ditësh, opozita ka nxjerrë në skenë kryebashkiakun e radhës me njollë, ku pas fitores së parë më Pjetrin e Shkodrës, ka nisur betejën me Kajmakun e Vorës. Pas botimit të vendimit në gjuhën greke ku pretendohet Kajmaku ka qenë i dënuar, prokuroria nisi procesin e verifikimit të këtyrë akuzave. Organi i Akuzës kërkoi marrjen e shenjave të gishtave të kryebashkiakut të Vorës.
Gjithashtu Prokuroria i kërkoi zyrtarisht PD-së që t'i vinte në dispozicion çdo material apo provë që kishin ndaj Kajmakut. Kësaj thirrje selia blu iu përgjigj pozitivish menjëherë, duke i dërguar Prokurorisë të dhëna konkrete mbi të kaluarën kriminale të Agim Kajmakut. Të dhënat, sipas PD-,së i janë dërguar prokurorisë, përmes dy letrave të ndryshme, njëra ditën e djeshme me dokumentat e bëra publikë sipas vendimeve të Prokurorisë dhe Gjykatës greke, tjetra me dokumentin e nxjerrë nga TIMS që tregon se Agim Kajmaku është i njëjti me personin Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi në 2003 dhe me numër pasaporte Z 0148497. Të dyja letrat, ajo e djeshmja dhe e sotmja i janë dërguar prokurorisë nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i cili shpjegon të gjithë informacionin e bërë publik nga Partia Demokratike dhe shpreh shqdetësimin e thellë të PD për procedurën antiligjore që po ndjek prokuroria për marrjen e shenjave të gishtërinjve.

Shkresa e PD drejtuar prokurorise


“Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, i datëlindjes 1971, banues në Tiranë Shqipëri, është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale "Përdorim dhe shpërndarje kartmonedhash të falsifikuara”. Ai është arrestuar në flagrancë, duke u arratisur nga territori i shtetit grek. Krimi është kryer gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera, dhe Agim Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashivi. Pasi dosja është përcjellë në prokurori, Prokuroria e Janinës ka konstatuar se jemi përpara një krimi të nivelit të parë (shkalla më e rëndë e klasifikimit të veprave penale), dhe nga provat e administruara ka vlerësuar se rezultonte e provuar që krimi ishte kryer nga shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto.
Krimi i kryer nga Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sipas prokurorisë greke (dokomentit që disponon PD), duhet të dënohej me jo më pak se 10 vjet burgim. Për këtë arsye, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e tij të menjëhershëm dhe ka përcjellë dosjen në gjykatë. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka vendosur “arrest me burg” dhe marrjen të pandehur të shtetasit Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, për fallsifikim parash, si dhe dërgimin e çështjes për gjykim. Vendimi i gjykatës për arrestimin e Agim Kajmakut nuk është ekzekutuar, për shkak se gjatë periudhës së shqyrtimit gjyqësor, ai ishte larguar menjëherë nga territori i shtetit grek dhe ka ardhur në Shqipëri. Këtu ka ndryshuar menjëherë edhe identitetin, nga Jorgo Toto, në Agim Kajmaku.”- thuhet në informacionin që PD i ka dërguar Prokurorisë ditën e djeshme.

Shkresa e Bardhit per prokurorine


PD thekson se informacioni është pasuruar sot me dokumentin e nxjerre nga TIMS, i cili vërteton në mënyrë të pakundërshtueshme se Agim Kajmaku i Bshkisë së Vorës është Jorgo Toto i arrestuar në Greqi në 2003 dhe që ka mashtruar autoritetet greke për atësinë dhe amësinë, por nuk ka mundur ta çojë mashtrimin deri në fund për shkak të pasaportës.”
“Jorgo Toto, i arrestuar në tentativë për t’u arratisur pas krimit nga territori grek, ka patur me vete pasaportën e tij, e cila ka një numër unik identifikimi. Sipas vendimit të drejtësisë greke që ju është përcjellë edhe ju zyrtarisht dje, në faqen 13 të tij, pasqyrohet se shtetasi i arrestuar dhe që ka kryer krimin, është shtetasi Jorgo Toto që posedon pasaportën me nr. Z 0148497. Sipas sistemit shtetëror TIMS, Agim Kajmaku (që është personi në foto), kur ka patur emrin Jorgo Toto, i datëlindjes 06.07.1971, i biri i Imer dhe Maxhe, ka qenë posedues ekzaktësisht i pasaportës me Nr. Z 0148497. Kjo është një provë e pakontestueshme që Jorgo Toto i arrestuar në Greqi me pasaportën me nr. Z 0148497, është Jorgo Toto që shfaqet në fotën e sistemit TIMS, me pasaportën me nr. Z 0148497, dhe që sot mban emrin Agim Kajmaku.”- thuhet në informacionin e ri të PD-së.
PD i ka kërkuar prokurorisë të veprojë me shpejtësi për zbardhjen e të vërtetës, dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasit Agim Kajmaku për krimin e kryer në Greqi dhe për krimin e falsifikimit të Formularit të Dekriminalizimit. Gjithashtu, PD ka shprehur shqetësimin e thellë për procedurën e dyshimtë dhe të paligjshme që po ndjek prokuroria, edhe në rastin e verifikimit të Agim Kajmakut, të cilit i ka kërkuar të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë