Politike

Kadri Veseli kandidat i vetëm, zgjidhet kryetar i PDK-së

Kryetari i Parlamentit të Kosovës Kadri Veseli është zgjedhur sot kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai i shte kandidat i vetëm në zgjedhjet brenda partisë. Zgjedhja e tij erdhi pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i kreut të PDK-së, pasi ky i fundit u zgjodh president.
Megjithëse nuk kishte rivalë në këto zgjedhje partiake, Veseli tha se këto zgjedhje janë leksion për të gjithë spektrin politik kosovar.
“Këto zgjedhje me plot meritë janë leksion demokratik për të gjithë spektrin politik në Kosovë. Ju treguat se sa e madhe është Partia Demokratike e Kosovës, ju treguat se ka një parti të parë në Kosovë e ajo është vetëm Partia Demokratike e Kosovës, ju treguat se qytetarët e Kosovës besojnë në PDK, Besojnë në Forcën dhe vizionin e saj. Ju treguat se ne jemi parti e vlerave, e shtet ndërtimit dhe e transformimit të Kosovës. Sot, PDK është bërë më e madhe , më e fuqishme , më e konsoliduar, më e gatshme për të marrë mbi vet rolin që i takon, rolin e partisë që iu prin ndryshimeve”, tha Veseli.
Duke folur përpara delegatëve të PDK-së, Veseli u shpreh se të gjithë anëtarët e partisë duhet të kërkojnë llogari nga udhëheqja e re e PDK-së. “Nuk do të lejojmë të ketë dilema se a do ta fitojmë lirinë, perspektivën, të ardhmen tonë. Ka veç një rrugë: ajo është rruga e përgjegjësisë dhe shanseve të barabarta”, ka thënë Veseli, pasi është votuar si kryetar.
Nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi, më herët, u shpreh se Veseli ka merita se me gjithë problemet, po e mban gjallë koalicionin qeverisës. “Ka merita kryesore për mbajtjen gjallë të koalicionit. Veseli do të jetë padyshim Kryeministër i Republikës së Kosovës. Sot tri vite më pas z. Veseli ka dhënë dëshmi të bollshme se ardhja e tij në krye të PDK-së ka qenë zgjidhja më e mirë. Mund ta kërkojmë ribesimin për Veselin. Është treguar i denjë për të udhëhequr PDK-në. Ai ka treguar se mund të drejtojë PDK-në me vlerat e mëdha”, ka thënë Kuçi.
“Si Kryetar i Kuvendit ka treguar pjekuri politike. Ka parë edhe kur ka pasur gaz lotsjellës. Z. Veseli ka treguar se është njeri i tolerancës, guximit dhe nuk bën kompromis me interesat kombëtare”, ka shtuar ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë