Libra

Kadare “rrëfehet” sërish

Në 85-vjetorin e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, del nga shtypi edhe libri më i ri për të, “Kohë për rrëfim” nga shtëpia botuese “Onufri”.   

Kadare vjen në një dialog të gjatë me Alda Bardhylin, ku rishihen kohë e ngjarje, duke sjellë në vëmendje, momente të vështira e përjetime prej tyre.

Ky libër i ri vjen tre vjet pas botimit të librit “Kur sunduesit grinden”.

Shkrimtari i madh, Ismail Kadare, vjen në një bisedë të gjatë, duke rrëfyer më shumë rreth jetës së tij, grishjes për shkrimin, regjimin komunist, për marrëdhënien me Enver Hoxhën, si dhe për zhvillimet e fundit globale.

“Kadareja flet shumë haptazi me Alda Bardhylin, për marrëdhënien e tij komplekse dhe të rrezikshme me klanin Hoxha dhe sidomos me diktatorin Enver. Ai diskuton edhe mbi përpjekjet për t’u arratisur, mbi periudhën si deputet dhe shpresat e tij pas shembjes së regjimit komunist në vitin 1990. Kjo është seria më e shtjelluar e bisedave të mbajtura me Ismail Kadarenë, një bisedë mes një shkrimtari të rëndësishëm shqiptar dhe një studiueseje të re shqiptare, mbi dashurinë, letërsinë dhe historinë e shekullit XX, që do të bëjë jehonë përtej kufijve të vetë Shqipërisë”, shkruan në parathënien e këtij libri, shkrimtari i njohur anglez, Jason Goodwin.

Libri "Kohë për rrëfim"

Për 85-vjetorin e shkrimtarit u zhvillua dhe një konferencë në nder të tij “Kadare në letrat botërore”, ku ishte e pranishme ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha.

“Kadare, një shkrimtar shqiptar dhe botëror. Ai është një figurë që inspiron. Megjithëse ne presim të fitojë Nobel, për ne shqiptarët, ai e ka fituar këtë çmim. Kadare do të ngelet një gur kilometrik i kulturës sonë.  Ne të gjithë, Ismailin e njehsojmë me atdheun. Jemi krenar që jetojmë në epokën e Kadaresë. Kadare arriti të nxjerrë letërsinë nga errësira”, u shpreh ministrja e Kulturës në 85-vjetorin e tij.

Ndërkohë, Akademia e Shkencave në 85-vjetorin e lindjes, ka propozuar sërish Ismail Kadarenë për Çmimin Nobel.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë