Art dhe Kulture

Kadare në Seul për çmimin Pak Kyong-ni, kundër Akademisë Suedeze për Handke

Shkrimtari Ismail Kadare është nderuar me çmimin e rëdësishëm për letërsinë në Seul të Koresë së Jugut, Pak Kyong-ni për vitin 2019.
Në përgjigje të interesit të gazetarëve për qëndrimin e tij ndaj çmimi Nobel për 2019-ën që i shkoi Handke, I njohur si adhurues i Milosheviçit, shkrimtari Kadare u shpreh kundër vendimit të Akademisë Suedeze.

"E njoh personalisht Handken dhe kam ngrënë drekë me të disa herë. Mendoj se ekziston një vijë që letërsia nuk duhet ta kalojë, por Handke e kaloi atë. Vrasja nuk duhet të pranohet nën asnjë rrethanë,” tha Kadare.

Ai tha se ka qenë vetë viktimë e censurës dhe shtypjes së qeverisë dhe se kjo mund ta ketë bërë të jetë kaq i ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje.
Gjatë bisedës me gazetarët duke rrëfyer Shqipërinë komuniste, ai tha se “Shqipëria ka qenë një ndër vendet më të izoluara në Europë, një vend komunist nën diktaturë, por, Tiranën e ndan vetëm një distancë e shkurtër nga Italia dhe njerëzit mund ta ndienin ndikimin e botës perëndimore. E megjithatë, ata bënin sikur një ndikim i tillë nuk ekzistonte. Ishte e ndaluar të flisje se sa afër ishte bota perëndimore.”

Shumica e shkrimtarëve në atë kohë ishin të censuruar nga qeveria, vijoi bisedën shkrimtari Kadare. “Në Kushtetutë thuhej se nuk mund të shprehje mendime nëse ato ishin kundër regjimit. Shumë nga shkrimtarët ishin në situata të rrezikshme dhe disa u burgosën. Jeta ime është vetëm një nga ato mijëra raste," tha ai.
Ai foli për frymën universale të letërsisë dhe u shpreh se edhe në Shqipërinë dikur të izoluar njerëzit megjithatë dinin për Korenë dhe për realitetin e dyfishtë të popullit korean.

Çmimi Pak Kyong-ni do t’i dorëzohet shkrimtarit tonë më 26 tetor në qytetin Wonju të provincës Gangwon. Ky është çmimi i vetëm ndërkombëtar letrar që Koreja e Jugut u jep shkrimtarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë