Futboll

Ka tri humbje radhazi, a do ta “respektojë” Kukësi edhe Vllazninë?

Kukësi dhe Vllaznia ndeshen sot në “Elbasan Arena” në një 90-minutësh krejtësisht të pazakontë. Është ndeshja që hap javën e 32-të të Superiores dhe kuksianët e drejtuar nga trajneri Mirel Josa nuk kanë asnjë objektiv për të arritur. Janë e vetmja skuadër në një pozicion të tillë, jashtë Europës dhe 5 pikë larg zonës së “play out”-it.

Pyetja që lind natyrshëm në këtë moment është: a do të humbë Kukësi edhe sot, siç ka bërë 3 javët e fundit të kampionatit ndaj Laçit, Teutës dhe Partizanit, apo do të luajë fort ndaj Vllaznisë? Janë tri humbje radhazi ndaj tri pretendentëve për titull dhe nëse ndaj Vllaznisë regjistrohet një rezultat tjetër, shkodranët mund të mendojnë për një dashakeqësi ndaj tyre nga ana e kuksianëve.

Nga një ndeshje mes Kukësit dhe Vllaznisë. Gazeta Si, 7 maj 2021

Dalja nga objektivi kuptohet që e ul motivimin e futbollistëve, të cilët, duke qenë fund sezoni, ruhen nga dëmtimet, por edhe humbjet e njëpasnjëshme e prishin imazhin e tyre. Trajneri Mirel Josa ka theksuar një ditë para ndeshjes se Kukësi do të jetë serioz në fushë, por kështu ka thënë edhe javët e fundit dhe përsëri të tijtë kanë dalë me 0 pikë. Shkodranët, pretendentë për titullin kampion, janë përgatitur për të dhënë gjithçka në fushë, siç ka deklaruar në konferencë shtypi trajneri Bërdariç, pasi nuk presin dhurata nga askush.

Fusha do të tregojë se çfarë ndeshjeje do të luhet, por gjasat janë që Kukësi të ketë të njëjtin “impenjim” si javët e fundit, duke e “respektuar” edhe Vllazninë. Katër ndeshjet e tjera të javës së 32-të luhen të shtunën. Partizai kryesues luan në Korçë me Skënderbeun, Teuta pret Bylisin, ndërsa dy ndeshjet e tjera janë Tirana-Kastrioti dhe Apolonia-Laçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë